Mesha e Shën Jozefit, Imzot Meta: Mungesa e punës dhe korrupsioni po shkatërrojnë shoqërinë shqiptare

Në festën e Shën Jozefit Punëtor, në Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër, u kremtua mesha e shenjtë që shënon hapjen e muajit të kushtuar Zojës së Bekuar.

Mesha u udhëhoq nga Imzot Gjergj Meta, Ipeshkëv i Rrëshenit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, i cili në fjalën e tij u ndal në rëndësinë e figurës së Shën Jozefit si model i punës së ndershme, përulësisë dhe besimit të palëkundur në Hyjin.

Imzot Meta theksoi se në Shqipëri mungon puna, një fenomen që po i detyron shumë të rinj të braktisin vendin, duke kërkuar mundësi më të mira jashtë. Ai gjithashtu foli për mungesën e paqes, duke komentuar vrasjet e lidhura me krimin dhe dhunën, ndërsa e konsideroi korrupsionin si një plagë që ka zënë rrënjë të thella në shoqërinë shqiptare.

Kremtimi i kësaj feste dhe hapja e muajit të adhurimit për Zojën e Bekuar, u shoqërua me një thirrje për të gjithë besimtarët që të reflektojnë mbi vlerat e punës së ndershme dhe të angazhohen për ndihmën e shoqërisë në luftën kundër padrejtësive.