Berisha: Nuk mund të pranoj unë sa të jem në këtë detyrë bashkëpunëtorë të krimit në garat e partisë
Kreu i PD-së, Sali Berisha, u shpreh se proceset brenda partisë do të mbeten të bazuara në rregulla dhe standarde, pavarësisht presioneve dhe sulmeve politike. Ai theksoi se nuk do të lejojë, në asnjë rrethanë, përfshirjen e personave që, sipas tij, kanë lidhje me krimin në garat e brendshme të partisë.
Berisha nënvizoi se ndarja e Partisë Demokratike nga elementë të tillë është e panegociueshme dhe do të mbetet e tillë. Ai shtoi se kriteret për kandidim janë të qarta dhe se çdo përpjekje për t’i anashkaluar ato dëmton integritetin e garës.
Ai u shpreh se, hapja e partisë nuk nënkupton pranimin e kujtdo pa kontribute apo pa respektuar rregullat. Në këtë kuadër, Berisha e konsideroi të domosdoshëm ruajtjen e standardeve dhe moralit politik brenda PD-së.
Donald Doni: Doktor Berisha, gjatë periudhës së fundit, kemi parë kandidatë për kreun e PD, që në vend të garës së ndershme, kanë zgjedhur të sulmojnë dhe të zbehin figurën tuaj, madje edhe në momente të rëndësishme si vizita në Kroaci, duke krijuar përçarje dhe konfuzion tek demokratët. Nga ana tjetër, një pjesë e medieve dhe analistëve përpiqen të ndikojnë opinionin publik me narrativa të njëanshme. Pyetja ime është, si do veproni konkretisht për t’i bindur edhe skeptikët se PD është e hapur, e bashkuar dhe alternativa reale ndaj regjimit aktual dhe pse mendoni se vazhdimësia juaj në krye është zgjidhja më e fortë për opozitën në këtë moment?
Fjala e tij:
Së pari, e ke kapur bukur këtë. Gjithçka bëjnë të fshehin zhvillimet që u djegin.
Për shembull, unë në Kroaci pata përveç kësaj një takim të shkëlqyer me kryeministrin e vendit, Andrej Plankoviç, një mik i çmuar i shquara i PD dhe Shqipërisë.
Dhe dua t’i shpreh mirënjohjen më të thellë për pritjen e përzemërt dhe mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep PD-në.
Natyrisht ideja që unë t’i përgjigjem me shkelmim të statutit, rregullave dhe interesave të demokratëve, nuk ndodh kurrë.
Nuk mund të pranoj unë sa të jem në këtë detyrë bashkëpunëtorë të krimit në garat e partisë.
Ndarja me krimin e Sali Berishës dhe PD-së është dhe do jetë ndarje për jetë dhe vdekje.
Kjo nuk mund të ndodhë kurrë tjetër.
Në qoftë se ti shkon dhe drekon e darkon me Oltion Bistrin, me Ergys Agasin, në qoftë se ti i kërkon Suel Çelës që të organizojë takimin, duke kërcënuar demokratët, ti je një armik i PD, je një shërbëtor i turpshëm i Edi Ramës.
Dhe, nuk mund të imagjinohet kurrë që për hir se ç’thotë propaganda armike, se përndryshe është njëlloj si të marrë një kopje të Taulant Ballës.
Këto nuk mund të ndodhin.
Nuk mund të ndodhë kurrë që unë të shkelmoj interesat, moralin e demokratëve, të pranoj të kandidojnë ata, të cilët bënë gjithçka në fushatë elektorale kundër PD.
Do ishte akt primitiv dhe i papërgjegjshëm.
Nuk ka parti në botë që ata nuk i përjashton.
Çdo parti që ka minimumin e moralit, ata i nxjerr jashtë.
Sikundër nuk mund të ridikulizohet gara me anonimë.
Ke ambicie për kryetar partie? Atëherë puno të dalësh, të kesh kontribut publik që ta nderosh garën.
Por në qoftë se ka vazhduar në një orbitë larg kontributeve publike, nuk je për atë garë.
Kur thuhet se është e hapur, është e hapur.
Dhe për ta mbyllur, çdo parti politike në procese zgjedhore ka seleksionin.
Nuk ka parti pa seleksion.
I vetmi rast pa seleksion kemi qenë ne në primaret e para. Jo tani, tani ka seleksion.
Detyrimisht ka kritere mbi të cilat duhet të bëhet seleksionimi.
Kurse për sulmet që më bën mafia dhe puthadorët e tij, pronarët mafioze të medieve që janë të gatshëm të shesin çdo gjë për t’u lëpirë Edi Ramës se mos ua hedh ndonjë kockë, ata nuk më impresionojnë mua fare.