Berisha: Qëllimi i rezolutave është sensibilizimi i komunitetit ndërkombëtar dhe solidarizimi i tyre me opozitën
Kreu i PD-së, Sali Berisha, u shpreh se rezolutat e miratuara nga International Democracy Union kanë si qëllim kryesor sensibilizimin e komunitetit ndërkombëtar për situatën në Shqipëri dhe rritjen e presionit ndaj qeverisë së Edi Rama.
Ai theksoi se këto dokumente synojnë të ekspozojnë shkeljet, korrupsionin dhe, sipas tij, kapjen e shtetit, duke i bërë ato të njohura në arenën ndërkombëtare. Berisha nënvizoi gjithashtu se një tjetër qëllim thelbësor është solidarizimi i partnerëve ndërkombëtarë me opozitën dhe qytetarët shqiptarë.
Berisha u shpreh se, përmes këtyre rezolutave po ndërtohet një mbështetje më e gjerë kundër asaj që ai e cilëson si regjim dhe në favor të zgjedhjeve të lira dhe standardeve demokratike.
Dajona Ruka: Zoti Berisha, sa e rëndësishme është për opozitën shqiptare që një organizatë si IDU të miratojë një rezolutë kritike ndaj situatës në Shqipëri, ku haptazi dënon qeverinë shqiptare për shtet të kapur dhe bllokim të integrimit drejt BE. Ndërkohë kjo është rezoluta e tetë, por duket se Rama nuk dëgjon nga ai vesh. Cili është impakti i këtyre rezolutave?
Fjala e tij:
Impakti i parë madhor i këtyre rezolutave është sensibilizimi i komunitetit ndërkombëtar për gjendjen në Shqipëri, për regjimin e Edi Ramës, aktet e tij antikushtetuese e kriminale, etj.
Qëllimi i dytë madhor i këtyre rezolutave është të tregojnë solidarizim dhe mbështetje për opozitën shqiptare dhe për qytetarët shqiptarë.
Këto të dyja janë, mendoj unë, qëllimet kryesore.
Pra, komuniteti ndërkombëtar qëndron fuqishëm që shqiptarët të votojnë të lirë dhe kundër farsës elektorale.
Komuniteti ndërkombëtar qëndron fuqishëm kundër lidhjeve me krimin dhe kartelet e drogës.
Dhe unë duhet t’u informoj se ndodhitë në Shqipëri, zhvillimet në Shqipëri, kanë një vështirësi specifike.
Cila është? Sepse janë të pabesueshme se mund të ndodhin. Sepse mendja e njerëzve që i dëgjojnë, nuk arrijnë t’i besojnë.
Kur unë u deklaroja dje se Ilir Metën, ish-president, ish-kryetar parlamenti, ish-kryeministër, Edi Rama e zbriste në sallën e gjyqit në kafaz qelqi sikur të ishte super-terrorist, ishte një gjë që tejkalonte çdo lloj imagjinate.
Por këto ndodhin dhe fakti është që ky insistim i yni, provat që kemi paraqitur, faktet që kemi paraqitur, kanë sjellë një ndryshim të madh të qëndrimeve ndaj Edi Ramës.
Mos harroni vetëm kaq, përveç tetë rezolutave që ju me të drejtë i cituat dhe i mbani mend, janë dy misione faktmbledhëse që kanë ndodhur brenda këtyre muajve, si shumë rrallë ndodh, tepër, tepër rrallë.
Por ja që ndodhi në Shqipëri.
Erdhi misioni faktmbledhës i Parlamentit Europian dhe mision faktmbledhës i PPE me përfaqësues të 32 partive politike.
Pra, ne po bëjmë gjithçka për të krijuar një vetëdije të plotë në komunitetin ndërkombëtar se çfarë përfaqëson Edi Rama, kreu i organizatës kriminale dhe qeveria, sikundër edhe për të siguruar mbështetje për opozitën shqiptare.