RENEA dhe FNSH 'zbarkojnë' në Elbasan, aksion për grupin kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika Latine...

Një operacion i gjerë policor po zhvillohet në qytetin e Elbasan, në bashkëpunim me SPAK, në kuadër të goditjes së një grupi të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge.

Sipas informacioneve paraprake, ndërhyrja është bazuar në zbardhjen e komunikimeve në aplikacionin “Sky”, nga ku dyshohet se janë identifikuar persona të përfshirë në trafikun e kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt disa vendeve të Europës.

Deri në këto momente raportohet se janë lëshuar 18 urdhër-arreste për persona të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Mëngjesin e sotëm, forcat speciale RENEA dhe FNSH kanë zbarkuar në Elbasan për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, si dhe për kryerjen e kontrolleve në disa banesa.

Sipas informacioneve paraprake, mësohet se kontrollet po kryhen në Prrenjas, Librazhd e Elbasan si dhe në disa bashki të tjera të qarkut.

Gjykata ka lëshuar 20 urdhër-kontrolle banesash dhe 18 urdhër-arreste. Raportohet edhe për disa të shoqëruar.

Deri në këtë fazë të operacionit janë arrestuar 10 persona, ndërsa 8 persona mësohet se janë ndaluar ose shpallur në kërkim nga operacione të ndryshme të kryera më parë.