Ekspertët evidentuan shkelje të shumta në procesin ndaj çlirimtarëve, kërkohet reagim i shteteve financuese të Gjykatës Speciales

Gjykata Speciale nuk ka bërë të ditur ende datën se kur do të jepet vendimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Por, në një publikim të saj është theksuar se çështja gjyqësore është në fazën e kuvendimeve.

Ndërkohë publikimi i raportit të organizatës “Bar Human Rights Committee of England & Wales”, i cili tregon për shkeljet që po iu bëhen ish-krerëve të UÇK-së në Hagë nga Dhomat e Specializuara ka nxitur reagime të shumta në vend.

Organizatat e dala nga lufta, partitë politike, gazetarë dhe njerëz të shoqërisë civile janë shprehur të shqetësuar me gjetjen e kësaj organizate në procesin gjyqësor ndaj çlirimtarëve. Pas prezantimit të raportit në Prishtinë, është kërkuar reagim nga shtetet financuese.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UCK-së ka bërë me dije se raporti ka konfirmuar të gjitha shqetësimet e tyre.

“Shqetësimet tona të vazhdueshme, të ngritura me këmbëngulje në çdo forum të mundshëm, sot po gjejnë jehonë edhe në arenën ndërkombëtare. Raporti i fundit i publikuar nga një organizatë britanike për të drejtat e njeriut, i cili ngre shqetësime serioze për shkelje të të drejtave themelore në kuadër të Dhomave të Specializuara, përbën një konfirmim të qartë se alarmet tona kanë qenë të drejta dhe të argumentuara. OVL UÇK vlerëson se ky zhvillim është një moment i rëndësishëm për ndërgjegjësimin ndërkombëtar lidhur me mënyrën e funksionimit të kësaj gjykate dhe trajtimin e padrejtë ndaj çlirimtarëve. Drejtësia selektive dhe standardet e dyfishta nuk mund të ndërtojnë besim dhe as të sjellin drejtësi të vërtetë”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

OVL-UÇK ka ftuar institucionet që t`i marrin seriozisht këto gjetje.

“I bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të marrin seriozisht këto gjetje dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së do të vazhdojë angazhimin e saj të palëkundur në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe të dinjitetit të bashkëluftëtarëve tanë, duke mos u ndalur përballë asnjë padrejtësie”, është thënë në reagimin e OVL-UÇK-së.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas publikimit të raportit të organizatës “Bar Human Rights Committee of England & Ëales”, i cili trajton proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

Përmes një komunikate për media, PDK-ja ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me gjetjen që janë prezantuar në këtë raport.

Sipas PDK-së, gjetjet e organizatës janë alarm për padrejtësitë që po i bëhen ish-krerëve të UÇK-së.

“Ky raport i kësaj organizate me reputacion të lartë ndërkombëtar në fushën e të drejtave të njeriut, ngre shqetësime serioze për respektimin e standardeve të një gjykimi të drejtë, duke vënë në pah rreziqe të mospërputhjes me parimet themelore të Këshillit të Evropës dhe instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, është thënë në komunikatë, duke dhënë detaje tjera.

“Sipas këtij raporti, çështje të rëndësishme si shkeljet e të drejtave të njeriut, paraburgimi i gjatë dhe praktikisht i pakontestueshëm, kufizimet në lirimin e përkohshëm, si dhe dyshimet për barazi të palëve në proces, paraqesin sfida serioze për integritetin e procesit gjyqësor. Po ashtu, në këtë raport theksohen shqetësime lidhur me transparencën e provave dhe burimin e tyre, çka mund të ndikojë drejtpërdrejt në besueshmërinë e vendimeve. Këto gjetje nuk mund dhe nuk duhet të injorohen më nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Ndër të tjera, PDK-ja ka vlerësuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.

“PDK rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare. Rrjedhimisht, çdo proces ndaj pjesëtarëve të UÇK-së duhet të jetë i pakontestueshëm në standard, i pastër në procedurë dhe i drejtë në çdo aspekt. Ne kërkojmë që rekomandimet e raportit të merren seriozisht dhe urgjentisht, përfshirë krijimin e një mekanizmi të pavarur të monitorimit, që garanton respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare dhe ruajtjen e legjitimitetit të procesit gjyqësor”, është thënë në komunikatë, duke i drejtuar një thirrje Gjykatës Speciale.

“PDK u bën thirrje shteteve financuese të Dhomave të Specializuara, ekspertëve të drejtësisë, organizatave të shoqërisë civile dhe të gjithë njohësve të të drejtave të njeriut, brenda dhe jashtë vendit, që të mos heshtin. Heshtja përballë këtyre gjetjeve nënkupton normalizim të standardeve të ulëta dhe rrezikon të krijojë precedent të rrezikshëm për drejtësinë ndërkombëtare. PDK do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje të gjitha zhvillimet dhe të angazhohet në mbrojtje të drejtësisë, të së vërtetës dhe të dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit tonë”, është thënë në komunikatë.

Çka thuhet në raport?

Komiteti i Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit, një organizatë e pavarur, kredibile dhe me fokus në të drejtat e njeriut, ka hartuar një raport rreth 100 faqe për proceset gjyqësore në kuadër të Gjykatës Speciale në Hagë.

Kjo është bërë me kërkesën e Avokatit të Popullit në Kosovë, dhe numri i shkeljeve e dilemave që janë evidentuar, është i madh.

Fillimisht organizata e njohur ka sqaruar juridiksionin e Dhomave të Specializuara, duke konstatuar se kanë pësuar ndryshime në mandat. Nga akuzat për trafikim të organeve, deri te akuzar për krime të luftës e krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

“Duke qenë se theksi i Raportit të Këshillit të Evropës është te “krimi i organizuar” dhe tregtia e paligjshme me organe – çështje që nuk janë ndjekur penalisht nga DhSK-ja – bëhet e qartë se mandati i DhSK-së ka pësuar ndryshim.Juridiksioni personal dhe territorial i DhSK-së mundëson ndjekjen penale edhe të individëve të tjerë përveç anëtarëve të UÇK-së. Megjithatë, fokusi më i ngushtë ndaj UÇK-së buron nga Raporti i Këshillit të Evropës, marrëveshja me BE-në lidhur me mandatin e EULEX-it39 dhe realiteti më I gjerë politik në të cilin është themeluar DhSK-ja. Kjo mbetet një çështje me shumë polemika”, thuhet qysh në fillim të raportit.

Kritika të mëdha kanë dalë nga raporti edhe lidhur me gjyqtarët.

Qysh në fillim, thuhet se krejt gjyqtarët janë ndërkombëtarë, dhe kjo ka ndikuar që ata të mos kenë njohuri të thella për realitetin në Kosovë, dhe realitetin e luftës.

Gjithashtu, fakti se gjyqtarët janë nga shtetet që e financojnë Gjykatën Speciale, përbën dilema të thella për konflikt të interesit.

“Natyra ndërkombëtare e emërimeve gjyqësore në DhSK ka si pasojë të pashmangshme faktin që asnjë gjykatës që shërben në DhSK nuk ka përvojë paraprake në të drejtën dhe procedurën penale të Kosovës. Ky realitet paraqet problem për dy arsye. Së pari, DhSK- ja ka juridiksion të kufizuar lëndor për sa i përket së drejtës penale vendore të Kosovës”, thuhet në raport.

“Për më tepër, kur përbërja e trupit gjykues pasqyron shtetet kryesore financuese dhe propozuese të gjykatës, dobësohet perceptimi i pavarësisë institucionale nga këto shtete, dhe kjo dobësi nuk është pa pasoja për legjitimitetin më të gjerë të gjykatës. Mbivendosja ndërmjet financuesve dhe propozuesve krijon gjithashtu një paralelizëm të pakëndshëm: se një vend në tryezën e drejtësisë u rezervohet atyre që kanë mundësi ta mbështesin financiarisht”, thuhet më tutje.

Ekspertët britanikë kanë adresuar kritika edhe për faktin se është kryetarja e Gjykatës Speciale ajo që emëron, cakton e anulon trupet gjykuese. Madje, edhe kur kërkohet përjashtimi i saj, ajo vendos për veten.

Raporti flet për takime të gjyqtarëve me prokurorë, të kryetares së Gjykatës Speciale me kryeprokurorin Jack Smith, të cilat sipas raportit,

“Rregulla 12 parasheh këshillime ndërmjet Kryetarit dhe Administratorit, si dhe, kur është e nevojshme, ndërmjet Kryetarit dhe Prokurorit të Specializuar, për çështje që lidhen me administrimin e veprimtarisë gjyqësore. Megjithëse e formuluar në terma administrativë, kjo dispozitë ngre çështje lidhur me përcaktimin e kufirit ndërmjet koordinimit administrativ dhe pavarësisë gjyqësore, veçanërisht në masën që lejon ndërveprim të drejtpërdrejtë ndërmjet akterëve gjyqësorë dhe prokurorialë jashtë pranisë së mbrojtjes”, thuhet në raport.

Madje, gjyqtarët thuhet se kanë pasur fuqi sikur prokurorë të dytë.

“Korniza e Dhomave të Specializuara i jep Trupit Gjykues një liri të konsiderueshme si përcaktues i fakteve dhe ligjit. Pa kufizime të qarta, kjo mund të krijojë kushte që Trupi të funksionojë si një ‘prokuror i dytë’, duke ndikuar në barazinë e armëve. Mbrojtja përballet jo vetëm me çështjen e Prokurorisë, por edhe me atë të Trupit Gjykues, me pasoja të qarta për burimet dhe strategjinë”, thuhet më tutje.