Ndahet nga jeta Abaz Hoxha, historiani i kinematografisë shqiptare
Është ndarë nga jeta sot në moshën 96-vjeçare, Abaz Hoxha, një nga emrat më të njohur të studimit të kinematografisë shqiptare.
I konsideruar si një nga zërat më të rëndësishëm të historisë së filmit shqiptar, ai i kushtoi gjithë jetën studimit dhe dokumentimit të kinemasë, duke lënë pas një pasuri të madhe botimesh dhe analizash. Vetëm pak muaj më parë, në dhjetor 2025, ai u nderua me Urdhrin e Skënderbeut.
Hoxha mbronte fort idenë se kinemaja shqiptare ka pasqyruar realitetin dhe historinë e vendit, duke kundërshtuar zërat që e cilësonin atë thjesht propagandë.
Abaz Hoxha është autor i 23 librave për kinematografinë shqiptare dhe botërore, si dhe hartues i Enciklopedisë së parë të Kinematografisë Shqiptare. Një figurë që la gjurmë të forta në kulturën dhe studimin e filmit në vend.
Për 17 vite me radhë, ai drejtoi Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.