Di Natale: Lewandowski në Itali? Për dy vite do të shënonte edhe me cigare në gojë

Ish-sulmuesi italian, Antonio Di Natale, ka folur me superlativa për ‘bomberin’ polak Robert Lewandowski, duke theksuar se ai do të kishte ndikim të menjëhershëm në Serinë A nëse do të transferohej në Itali.

Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, Di Natale u shpreh se, pavarësisht moshës 37-vjeçare, Lewandowski mbetet një nga sulmuesit më të frikshëm në futbollin europian dhe do të vazhdonte të ishte vendimtar edhe në Itali.

“Do të doja ta shihja Lewandowskin në Itali vitin e ardhshëm. Unë u tërhoqa në moshën 38-vjeçare, ai është 37 dhe është një ‘bomber’ i jashtëzakonshëm: në Serinë A do të shënonte edhe për dy sezone të tjera, madje duke luajtur me cigare në gojë”, tha me ironi ish-sulmuesi italian.

Aktualisht, Lewandowski është pjesë e Barcelonës, por kontrata e tij skadon më 30 qershor, duke hapur mundësinë e një transferimi të mundshëm gjatë verës.

Prej muajsh, emri i tij është lidhur me interesim nga dy gjigantë të futbollit italian, Milan dhe Juventus, të cilët raportohet se kanë zhvilluar edhe kontakte paraprake me përfaqësuesit e lojtarit.

Sipas Di Natale-s, ardhja e Lewandowskit në Itali do të ishte një goditje e madhe për kampionatin dhe një garanci për gola të menjëhershëm, duke sugjeruar madje një kontratë dyvjeçare si zgjidhjen ideale për klubet që kërkojnë eksperiencë dhe cilësi në sulm.