SYRI TV/ Fluks në pikën kufitare të Morinës, qytetarët: Do t’i drejtohemi zonave bregdetare
Rritet ndjeshëm numri i qytetarëve nga Kosova të cilët kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën në vendin tonë. Gjatë kësaj të premteje, pika kufitare e Morinës është përballur me një fluks të shtuar të qytetarëve, ndërkohë që edhe aksi rrugor Morinë-Kukës ka patur një ngarkesë të shtuar.
SYRI TV
Pika kufitare e Morinës është përballur këtë të premte me një fluks të shtuar të qytetarëve të cilët hyjnë nga Kosova drejt territorit të vendit tonë. Një fakt i tillë ka rritur ndjeshëm edhe qarkullimin e automjeteve në aksin Morinë-Kukës.
Rritja e qarkullimit është shënuar që në orët e para të mëngjesit dhe lidhet kryesisht me festën e 1 Majit, fundjavën e zgjatur, si dhe me rikthimin e lëvizjes së lirë pa kontrolle të detajuara në kufirin e përbashkët Shqipëri–Kosovë. Ndërkohë vet qytetarët janë shprehur se kanë zgjedhur që fundjavën ta kalojnë në territorin e Shqipërisë dhe kryesisht në zonat bregdetare, duke qenë se edhe temperaturat kanë nisur të rriten.
Sipas të dhënave paraprake nga autoritetet kufitare, deri në mesditë kanë hyrë në territorin shqiptar më shumë se 20 mijë shtetas nga Kosova ndërkohë që ky fluks mund të rritet edhe më tepër në orët në vijim. Kjo ka sjellë rritje të ndjeshme të trafikut në aksin rrugor Kukës–Morinë, ku në disa momente janë krijuar edhe ngadalësime në lëvizje.