Tabaku me bizneset gjermane: Duhen tërhequr investime që ndërtojnë industri
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, zhvilloi mëngjesin e sotëm një takim me rreth 50 biznese gjermane, në një aktivitet të organizuar nga Konrad-Adenauer-Stiftung, ku përfaqësues të sipërmarrjes gjermane po zhvillojnë një vizitë në Shqipëri për të eksploruar mundësitë e investimit.
Gjatë diskutimit, Tabaku ndau me përfaqësuesit e biznesit gjerman jo vetëm potencialin e Shqipërisë, por edhe kufizimet reale të modelit aktual ekonomik, i cili – sipas saj – nuk po prodhon zhvillim të qëndrueshëm dhe nuk po tërheq investime cilësore.
“Shqipëria nuk mund të vazhdojë me këtë model ekonomik. Duhet të kalojmë drejt një modeli tjetër – një modeli që prodhon vlerë, që mbështet industrinë dhe që tërheq investime produktive, të cilat sot mungojnë,” u shpreh ajo.
Deputetja e PD theksoi se rruga e vetme strategjike për vendin mbetet integrimi në Bashkimi Evropian, por nënvizoi se integrimi nuk mund të vijë në kushtet e një ekonomie të deformuar nga mungesa e konkurrencës dhe nga orientimi i gabuar i investimeve.
“S’ka integrim europian me një ekonomi që nuk prodhon. S’ka zhvillim me investime që nuk krijojnë vlerë. Shqipëria duhet të tërheqë investime që ndërtojnë industri, që krijojnë punë të mirëpaguar dhe që lidhen me zinxhirët europianë të furnizimit,” theksoi Tabaku.
Ajo i ftoi bizneset gjermane të konsiderojnë Shqipërinë si një destinacion për investime afatgjata në sektorë strategjikë si energjia, data centers, industria e përpunimit dhe teknologjitë e avancuara, duke theksuar se vendi ka potencial real për t’u bërë pjesë e zinxhirëve të rinj të furnizimit në Europë.
Në takim ishte gjithashtu një nga figurat politike më me ndikim të spektrit konservator gjerman, Joachim Pfeiffer, ish-deputet i Bundestagut dhe zëdhënës për ekonominë dhe energjinë për grupin CDU/CSU.