UEFA heton Declan Rice, mesfushori i Arsenalit rrezikon pezullimin për ndeshjen e kthimit me Atleticon

UEFA ka hapur një hetim ndaj Declan Rice, pas deklaratave të tij të forta në përfundim të sfidës mes Arsenalit dhe Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve.

Mesfushori anglez kritikoi hapur vendimet e arbitrimit, duke pretenduar se një ndërhyrje ndaj një lojtari të skuadrës së tij duhej të ishte ndëshkuar me penallti.

“Champions League është ndryshe, pasi në zonë japin gjithçka. Faulli i dytë, ai në dëm të Eze është një penallti e qartë. Mendoj se sjellja e Atleticos ndikoi tek arbitri dhe e detyroi të ndryshonte mendje”, u shpreh Rice pas ndeshjes.

Sipas raportimeve të mediave angleze, këto deklarata mund t’i kushtojnë shtrenjtë mesfushorit, pasi rregullorja e UEFA-s parashikon masa disiplinore për komentet që vënë në dyshim integritetin e gjyqtarëve.

Në rast se konfirmohet shkelja, Rice rrezikon pezullimin për një ndeshje, çka do të ishte një goditje e rëndë për Arsenalin në prag të sfidës së kthimit.

Vendimi përfundimtar pritet të merret në ditët në vijim, ndërsa klubi londinez shpreson që lojtari të shmangë një dënim që do të ndikonte ndjeshëm në planet për kualifikim.