Këngëtari i ‘Heil Hitler’/ Mediat e huaja: Europa e refuzon, Edi Rama i ngre stadium personal

Mediat ndërkombëtare, sidomos ato amerikane, po raportojnë se këngëtari amerikan, Kanye West do të mbajë një koncert në Shqipëri, në kohën kur e gjithë Europa po e refuzon.

Jo vetëm kaq, por për këngëtarin do të ngrihet një stadium i posaçëm nga qeveria shqiptare.

Lajmin për koncertin e West e ka njoftuar vetë Edi Rama.

“Pas javësh të tëra shtyrjesh dhe anulimesh të shfaqjeve, Kanye West ka planifikuar një koncert të madh në Shqipëri. Për ta realizuar këtë, ky vend po ndërton stadiumin e tij, por padyshim ka një hile: është vetëm i përkohshëm,” shkruan revista Vice.

“I përballur me kufizime në rritje në të gjithë Evropën, Kanye West po ecën përpara me një plan ambicioz. Reperi po ndërton një stadium të përkohshëm me 60,000 vende në Shqipëri për një shfaqje të madhe verore. Projekti vjen pasi disa vende evropiane bllokuan ose anuluan koncertet e tij. Këto vendime pasuan polemika të lidhura me vërejtjet e tij të kaluara anti-semite. Zyrtarët shqiptarë konfirmuan se koncerti do të zhvillohet më 11 korrik pranë korridorit Tiranë-Durrës. Vendi, i quajtur "Stadiumi Shqiponja", po ndërtohet posaçërisht për këtë ngjarje,” shkruajnë mediat e tjera amerikane.

Vende si Britania e Madhe, Franca, Zvicra apo Polonia kanë anuluar koncertet e këngëtarit amerikan.

Ai njihet për qëndrimet e tij raciste, pro-naziste dhe anti-semite.

Këngëtari pati publikuar një këngë me titull ‘Heil Hitler’ dhe shiste bluza me simbolet naziste.