Haxhimali: Dëgjesat publike po kthehen në formalitet, qytetarët lihen në hije
Eksperti i pushtetit vendor, Agron Haxhimali, i ftuar në emisionin Kafe Shqeto në Syri TV, kritikoi mënyrën se si po zhvillohen dëgjesat publike në vend, duke theksuar se ato po humbasin funksionin e tyre kryesor.
Sipas tij, ndonëse në pamje të jashtme krijohet ideja e një klime konsensuale dhe europiane mes palëve politike, në praktikë qytetarët nuk po marrin hapësirën që u takon për të shprehur shqetësimet dhe problemet e tyre reale.
AGRON HAXHIMALI: Janë bërë trend në fakt. Cili është mendimi im i drejtpërdrejtë, i sinqertë në këtë aspekt. Në dy dimensione. Përsa i përket asaj qasjes së politikës që, ku qytetarët shikojnë sikur partitë politike, pra mazhoranca dhe opozita janë shumë konsensuale, janë shumë europiane, janë shumë tolerante. Bashkëkryetarët po e moderojnë shumë mirë. Pra, në pamje të jashtme, kjo të lë një shije shumë të mirë sikur gjërat po shkojnë në mënyrë konsensuale dhe drejt zgjidhjeve me interes publik. Por, nëse e shikojmë nga dimensioni publik, nuk jam shumë i kënaqur, sepse në mendimin tim apo siç e kam rekomanduar dhe kam vizituar, edhe drejtpërdrejt, mund të them që edhe kam qenë kritik me bashkëkryetarët, dëgjesat publike janë për t'ju dhënë shansin një herë në 10 vite apo 20 vite qytetarëve të thjeshtë të vijnë të dëgjojnë edhe të ngrenë ato pyetje dhe shqetësime, jo të flasin kryetarët e bashkive, kryetarët e këshillave bashkiakë, të vijnë të flasin deputetët.
Ai është momenti më i artë që të respektohen qytetarët, të dëgjohen qytetarët, ato që digjen në vapë, ato që digjen në dimër dhe në verë, ato që nuk vaditen, ato që përmbyten, ato që kanë probleme me shkollën, me rrugën, me distancën. Në këtë aspekt, nuk jam i kënaqur, pa diskutuar pastaj edhe disa lojra apo manovra, jepi pyetjen, përgatiti përgjigjen. Unë mendoj që Shqipëria në vitin 2026 nuk ka nevojë për kinezërina të tilla. Duhet t'i lërë qytetarët të lirë. Çdo propagandë, çdo qasje irreale nuk shërben absolutisht për asnjë zgjidhje, edhe për këtë zgjidhje konkrete jo.