Reforma territoriale/ Lazri: Dështoi me sukses, ja arsyet e vërteta

Reforma administrative-territoriale e vitit 2014, një ndër ndërhyrjet më të diskutuara në qeverisjen vendore në Shqipëri, cilësohet si një "dështim me sukses". Në analizën e bërë në studion e ‘Kafe Shqeto’ në SYRI TV, sekretari i përgjithshëm në Bashkinë e Mirditës, Artur Lazri, shpjegoi se ndonëse reforma u implementua, ajo nuk i arriti objektivat e saj themelore, duke prodhuar pasoja negative për qytetarët dhe komunitetet.

Sipas tij, dy ishin arsyet kryesore të dështimit. Së pari, reforma ishte produkt i një marrëveshjeje politike të njëanshme dhe jo i një procesi gjithëpërfshirës. Vendimet u morën pa u realizuar një dialog i gjerë, duke lënë mënjanë zërin e aktorëve kyç.

Së dyti, dhe ndoshta më thelbësorja, ishte mungesa totale e konsultimit me komunitetet dhe bashkësitë lokale. Këto të fundit, të cilat do të prekeshin drejtpërdrejt nga ndryshimet, nuk u dëgjuan, duke e bërë procesin antidemokratik dhe të shkëputur nga realiteti.

ARTUR LAZRI: Koncepti i vetëqeverisjes ka kohë që ka filluar. Daton edhe në pjesën e Evropës, si vetëqeverisje daton që në mesjetë. Rasti i komunave të Italisë Veriore, i qyteteve autonome të para, shekulli i 11, 13, rasti i Fierences, rasti i Venecias apo i Milanos. E pastaj me revolucionin francez komunat moderne. E në Shqipëri ka datuar më vonë, ka filluar më vonë koncepti i tyre. Që në pjesën pas 1912-ës, kanë datuar ndarjet e para administrative territoriale, po që janë specifikuar dhe që janë ravizuar, ka filluar pas pjesës 1920, 1930, e më tej, në ndarje të ndryshme.

Aktualisht, vetëqeverisja vendore në Shqipëri, jemi në reformën që është bërë vitin 2014. Është një reformë, duhet të themi që ka rezultuar, ka dështuar me sukses, ka dështuar me sukses mund ta themi. Çështjet që ka dështuar janë dy-tre kryesore. E para, është bërë marrëveshje politike e parealizuar, pra është bërë e njëanshme. E dyta, nuk janë dëgjuar komunitetet lokale, bashkësitë lokale. Përfaqësimi politik, shërbimet, menaxhimi i territorit, shërbimet nga qytetarëve, e parimet e ndryshme. Dhe të gjitha këto kanë, kanë, kanë, kanë çuar në një dështim me sukses në fakt.

Dhe patjetër, në 2026-ën nevoja për një reformë të vërtetë, të drejtë dhe pranë qytetarëve është më adekuate se kurrë.