Barcelona arrin marrëveshjen me trajnerin Hansi Flick për rinovimin e kontratës deri në vitin 2028
Barcelona ka arritur një marrëveshje të rëndësishme për vazhdimësinë në stol, duke siguruar “dritën jeshile” nga trajneri Hansi Flick për rinovimin e kontratës.
Sipas raportimeve nga “Mundo Deportivo”, palët janë dakord për një kontratë të re deri në vitin 2028, me opsion për një sezon shtesë.
Firmosja zyrtare pritet të vijë sapo katalanasit të sigurojnë matematikisht titullin në La Liga.
Ky skenar mund të realizohet që këtë fundjavë, nëse Barcelona fiton ndaj Osasunës dhe njëkohësisht Real Madridi lë pikë në përballjen ndaj Espanyolit.
Ndërkohë, agjenti i trajnerit, Pini Zahavi, do të zhvillojë një takim me drejtuesit e klubit javën e ardhshme për të finalizuar detajet.
Në fokus të diskutimeve do të jetë edhe e ardhmja e Robert Lewandowskit, një tjetër klient i tij.
Flick, i cili më parë ka shkëlqyer me Bayern Munich, është pranë fitimit të trofeut të pestë me Barcelonën në vetëm dy sezone, duke konfirmuar ndikimin e madh në projektin sportiv të klubit.
Vetë tekniku gjerman ka theksuar se Barcelona pritet të jetë ndalesa e fundit në karrierën e tij si trajner.
Megjithatë, sezoni nuk ka qenë perfekt për katalanasit, pasi ata janë eliminuar nga Atletico Madridi si në Liga e Kampionëve, ashtu edhe në Kupa e Mbretit.
Pavarësisht kësaj, drejtuesit kanë vendosur të vazhdojnë me Flick, duke i besuar projektit afatgjatë të tij.