Media amerikane: Irani po përdor armëpushimin me SHBA për të nxjerrë armët e fshehura nën tokë
Irani po e shfrytëzon armëpushimin për të nxjerrë armë të fshehura nën tokë para sulmeve të SHBA-së dhe Izraeli, thanë zyrtarët amerikanë për NBC.
Sipas medias amerikane, Teherani ka intensifikuar operacionet për të rikuperuar raketa balistike dhe municione ditët e fundit. Qëllimi i Republikës Islamike, sipas SHBA-së, është të rivendosë arsenalin e saj të dronëve dhe raketave për të goditur objektiva në Lindjen e Mesme nëse Uashingtoni vendos të rifillojë sulmet.
Presidenti i SHBA, Donald Trump po shqyrton opsionet me ekipin e tij të sigurisë kombëtare, duke përfshirë veprime të reja ushtarake për hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe ‘zhveshjen’ e Iranit nga çdo material bërthamor.
Trump pritet të vendosë për rrugën që do të ndjekë në ditët në vijim, sipas zyrtarit të parë amerikan.
Irani filloi të bllokojë Ngushticën e Hormuzit pasi SHBA-të dhe Izraeli filluan fushatën e bombardimeve më 28 shkurt, dhe ky veprim ka bërë që çmimet globale të naftës të rriten ndjeshëm. Trump u kundërpërgjigj me një bllokadë detare të porteve iraniane në ngushticë.
Armëpushimi i përkohshëm hyri në fuqi më 8 prill për t’i dhënë SHBA-së dhe Iranit hapësirë për të negociuar përfundimin e luftës dhe për të rihapur ngushticën, por bisedimet deri tani nuk kanë dhënë rezultate.