Bashkia Vlorë biznes me hapësirën publike, Hoxha: Çadra në plazh po kthehet në luks për qytetarët
Vendimi i Këshillit Bashkiak të Vlorës për të vendosur një tarifë prej 7000 lekësh të vjetra për një çadër në plazhin publik të Lungomares ka ndezur një debat të fortë publik. Opozita akuzon bashkinë se po e shndërron një të mirë publike në luks përmes një procesi jotransparent, duke zbuluar atë që e quan një "mashtrim" pas çmimit të ri.
Këshilltari i opozitës, Artir Hoxha, nga studioja e 'Kafe Shqeto' ka zbardhur prapaskenat e vendimit, duke argumentuar se i njëjti projektvendim ishte rrëzuar në një mbledhje të mëparshme të këshillit, ku madje ishte propozuar një tarifë më e ulët, prej 5000 lekësh të vjetra.
Sipas tij, pas refuzimit fillestar, administrata e bashkisë ushtroi presion mbi këshilltarët e mazhorancës socialiste për të miratuar me çdo kusht tarifën e re.
Justifikimi i paraqitur nga bashkia, sipas këshilltarit, është krejtësisht i pabazuar.
“Administrata pretendon se ka marrë një çmim mesatar nga 6-7 subjekte private në zonë, duke arritur në konkluzionin se çmimi mesatar ishte 15,000 lekë të vjetra, dhe më pas kanë aplikuar 50% të kësaj vlere. Kjo është e pavërtetë dhe një mashtrim”, deklaroi Hoxha, duke shtuar se dokumentacioni mbështetës nuk citon se cilat subjekte janë pyetur dhe nuk përmban asnjë provë konkrete.
Hoxha thekson se një çmim i tillë nuk është aplikuar kurrë në atë zonë, e cila frekuentohet kryesisht nga mosha e tretë që kujdesen për nipërit dhe mbesat gjatë verës, si dhe nga turistë të painformuar.
Deklarata e plotë:
“Atëherë dua t'ju bëj një kronologji të shkurtër të ngjarjeve. E para njëherë, përpara se të zhvillohej kjo mbledhje e Këshillit Bashkiak, ky projektvendim është diskutuar në mbledhjen e shkuar, pra mbledhjen e parafundit, jo këtë që zhvilluam dje, por përpara dy mbledhjesh.
Dhe në këtë mbledhje, për të thënë të vërtetën ishte i njëjti projektvendim me të njëjtën shifër, por në një diskutim të hapur edhe me anëtarë të Këshillit Bashkiak të Partisë Socialiste, në një propozim të një prej këshilltarëve, po themi, çmimi prej 700 lekësh, ose 7000 lekë të vjetra për çadër që ishte paraqitur nga ekzekutivi, nga kryetarja e Bashkisë zonja Mersini, nuk u votua nga këshilltarët socialistë për t'u miratuar në mbledhjen që është zhvilluar pak ditë më përpara.
Dhe një propozim për të qenë një vlerë më e ulët 500 ALL ose 5000 ALL të vjetra për çadrën, u votua nga një numër prej 16 apo 17 këshilltarësh, gjë e cila edhe ky çmim nuk u miratua sepse për të miratuar një tarifë, do të duhet që në Këshillin Bashkiak të votojnë më shumë se sa 26 ose më shumë se sa gjysma.
Pra në mbledhjen e parafundit ky projektvendim u rrëzua praktikisht, nuk mori miratimin e Këshillit Bashkiak. Në këtë periudhë, pra nga mbledhja e shkuar deri dje që u zhvillua mbledhja e radhës, kryetarja e Bashkisë së bashku me njerëzit pranë saj, drejtorët e drejtorive, nënkryetarët e të tjerë, ka zhvilluar presion dhe takime individuale me të gjithë këshilltarët për t'u bërë presion atyre që duhet të miratojnë me se s'bën çmimin prej 700 lekësh ose 7000 lekë të vjetra për çadrën.
Çfarë ndodh? Në këtë relacion të këtij projektvendimi, administrata e Bashkisë pretendon se nëpërmjet gjashtë apo shtatë subjektesh ka pasur një letërkëmbim apo korrespondencë me këto subjekte private ku u ka kërkuar se sa ata kanë aplikuar çmimin sezonin e shkuar në këtë zonë.
Pra, nëpërmjet bizneseve të cilët kanë pasur kontrata, kontrata, për të shfrytëzuar sipërfaqe të caktuara në këtë linjë, pra në Lungomaren e Vlorës, dhe nëpërmjet këtyre korrespondencëve të cilat nuk janë të cituara se kush janë subjektet, se nuk kanë asnjë dokumentacion shoqërues pra të thuhet për shembull, subjekti Artir Hoxha që ushtron aktivitet në Lungomare, në parcelën kaq me kontratën kaq dhe kuponin tatimor bashkëlidhur, ka aplikuar këtë çmim në vitin e kaluar, në sezonin e kaluar turistik.
Por nëpërmjet këtij mashtrimi që kanë tentuar t'i bëjnë Këshillit Bashkiak dhe opinionit publik, këta pretendojnë që kanë marrë një mesatare të këtyre çmimeve dhe kanë aplikuar çmimin prej 50%.
Pra, praktikisht përgjigjet që këta pretendojnë që kanë marrë nga këto gjashtë apo shtatë subjekte është që çmimi mesatar në këtë zonë ka qenë 15,000 lekë të vjetra ose 1,500 lekë të reja.
Gjë e cila është e pavërtetë, në asnjë nga këto çadra që ju edhe nëpërmjet pamjeve që janë duke u transmetuar tani në ekranin tuaj, në asnjë nga këto subjekte dnë asnjë centimetër dhe nga asnjë çadër dhe shezlong nuk është aplikuar ky çmim, sepse ky çmim po ju them unë mund të aplikohet në zona më elitare që mund të jenë diku më tutje, në zonën e pikës së parë që ne e quajmë ose plazhi i Xhironit, e më tutje që janë subjekte të cilat kanë sipërfaqe të vogla, dhe nuk i nënshtrohen, po themi ose nuk frekuentohen nga njerëz të cilët nuk e kanë mundësinë për të mbërritur në plazh siç është plazhi i Lungomares.
Në plazhin e Lungomares frekuentohet kryesisht nga moshat e treta, të cilët, thashë dhe njëherë, e kam thënë dhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, marrin ata niprit dhe mbesat të cilët prindërit e tyre janë në punë në sezonin turistik dhe u bëjnë plazh në mëngjes nga orët e para të mëngjesit deri në mesditë.
Pra ata frekuentojnë këtë plazh dhe nga turistë të cilët për fat të keq dua ta them, nuk është mirë sepse jemi përpara sezonit turistik, nuk e dinë që kjo është një nga zonat më të ndotura të qytetit të Vlorës dhe të plazheve të Shqipërisë”.