Tiranë/ 31-vjeçari kapet me 1000 fara kanabisi, arrestohet nga policia
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Procesi”, me fokus parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, duke vënë në pranga një 31-vjeçar.
Aksioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në kuadër të rritjes së vigjilencës dhe intensifikimit të kontrolleve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve që në fazë fillestare.
Gjatë operacionit, në Rrugën e Dafinave u ndalua një automjet që drejtohej nga shtetasi R.A., në të cilin u gjet një qese me 1000 fara të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 31-vjeçari u arrestua në flagrancë, ndërsa u sekuestruan si prova materiale farat narkotike dhe automjeti tip “Benz” që ai përdorte.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.