Makth në det të hapur, droni me bombë 50 kg ngec në bordin e një anijeje në Gjirin e Adenit

Një incident i rëndë që mund të përfundonte në tragjedi është regjistruar në Gjirin e Adenit, ku një anije tregtare “bulk carrier” me flamur të huaj u godit nga një dron i armatosur, duke lënë të bllokuar në bord një mjet shpërthyes që për orë të tëra kërcënonte jetën e ekuipazhit.

Sipas informacioneve, droni u përplas në oxhakun e anijes pa shpërthyer, duke lënë brenda një ngarkesë eksplozive prej rreth 50 kilogramësh, e cila mund të aktivizohej në çdo moment. Situata u konsiderua jashtëzakonisht kritike, pasi çdo dridhje apo ndryshim temperature mund të shkaktonte shpërthim.

Ekuipazhi prej 18 personash përjetoi orë ankthi në mes të detit, pa mundësi largimi, ndërsa anija u nxor jashtë funksionit për të minimizuar rrezikun. Motorët u fikën menjëherë dhe çdo lëvizje u kufizua në maksimum.

Ngjarja ndodhi në fillim të muajit prill, ndërsa anija ishte në lëvizje, kur një mjet ajror pa pilot (UAV) goditi strukturën e saj, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Vetëm tre ditë më vonë, një ekip i specializuar për çaktivizimin e eksplozivëve nga kompania Diaplous mbërriti në Oman dhe, me ndihmën e marinës vendase, u transportua drejt anijes, rreth 60 milje detare larg bregut.

Operacioni, që zgjati rreth 12 orë, u zhvillua në kushte tepër të vështira dhe me rrezik të lartë, pasi ndërhyrja u krye në hapësira të ngushta dhe në një ambient ku ekzistonte mundësia e shpërthimit, zjarrit apo çlirimit të gazrave toksikë.

Pas një ndërhyrjeje të kujdesshme, ekspertët arritën të neutralizonin dhe të largonin mjetin shpërthyes, duke shmangur një katastrofë të mundshme.

Burime nga sektori detar theksojnë se incidente të tilla tregojnë qartë rreziqet e reja me të cilat përballet transporti ndërkombëtar, ku kërcënimet nuk kufizohen më vetëm te pirateria, por përfshijnë edhe sulme me dronë dhe armë të avancuara.

Ngjarja në Gjirin e Adenit konsiderohet një alarm serioz për sigurinë detare, duke theksuar nevojën për masa më të forta mbrojtjeje dhe reagim të shpejtë në situata emergjente.