Shefi i një kompanie plehrash kimike thotë se lufta rrezikon 10 miliardë vakte në javë

Ndërprerja e furnizimeve me plehra kimike dhe përbërësit e tyre kryesorë për shkak të luftës në Iran mund të kushtojë deri në 10 miliardë vakte në javë në nivel global dhe do të godasë më fort vendet më të varfra, sipas drejtuesit të një prej prodhuesve më të mëdhenj në botë të plehrave kimike.

Svein Tore Holsether, drejtor ekzekutiv i Yara, i tha BBC-së se përplasjet në Gjirin Persik, të cilat kanë bllokuar transportin përmes Ngushticës së Hormuzit, po rrezikojnë prodhimin global të ushqimit.

Ulja e prodhimit bujqësor si rezultat i përdorimit më të pakët të plehrave mund të çojë në një garë ofertash për ushqimin, paralajmëroi ai.

Ai u bëri thirrje vendeve evropiane të marrin në konsideratë me kujdes ndikimin e një lufte çmimesh mbi “më të pambrojturit” në vende të tjera.

Megjithëse Mbretëria e Bashkuar ka shumë pak gjasa të përballet me mungesa ushqimore, rritja e kostove për prodhuesit e ushqimit pritet të reflektohet në faturat javore të ushqimeve në muajt e ardhshëm.

“Rreth gjysmë milioni tonë pleh azotik nuk po prodhohet aktualisht në botë për shkak të situatës ku ndodhemi,” tha Holsether.

“Çfarë do të thotë kjo për prodhimin e ushqimit? Mund të arrijmë deri në 10 miliardë vakte që nuk do të prodhohen çdo javë si rezultat i mungesës së plehrave.”

Mosaplikimi i plehrave azotike mund të ulë rendimentin e disa kulturave deri në 50% që në sezonin e parë, shtoi ai.

Fermerët në mbarë botën po përballen me një sërë sfidash të vështira, tha më tej Holsether, pasi çmimet që ata marrin për produktet nuk janë rritur ende për të përballuar kostot në rritje.

“Ata përballen me kosto më të larta energjie, nafta për traktorët po shtrenjtohet, inputet e tjera për fermerët po rriten, kostoja e plehrave po rritet, por çmimet e produkteve bujqësore nuk janë rritur në të njëjtën masë,” u shpreh ai.

Garë ofertash
Çmimi i plehrave kimike është rritur me 80% që nga fillimi i luftës mes SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.

Vazhdimi i konfliktit mund të çojë në një garë ofertash për ushqimin mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra, shtoi Holsether.

“Nëse ka një garë për ushqimin dhe Evropa është mjaftueshëm e fortë për ta përballuar, duhet të kemi parasysh: nga kush po ia blejmë ushqimin?

Kjo është një situatë ku njerëzit më të pambrojtur paguajnë çmimin më të lartë, në vendet në zhvillim që nuk kanë mundësi ta përballojnë këtë garë.”

Kjo do të ndikojë në “përballueshmërinë e ushqimit, mungesën e tij dhe urinë”, tha drejtuesi i Yara.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Federata e Ushqimit dhe Pijeve ka parashikuar së fundmi që inflacioni i ushqimeve mund të arrijë në 10% deri në dhjetor.

Banka e Anglisë deklaroi këtë javë se pret që inflacioni i çmimeve të ushqimeve të rritet në 4.6% në shtator dhe mund të shkojë edhe më lart më vonë gjatë vitit./BBC