'Situatë kritike', Nesho: Kriza në Kosovë rrezikon rikthimin te OKB, Rama në linjë me qëndrimet e Vuçiçit

Ish-ambasadori Agim Nesho, i ftuar në studion e “Çim Peka LIVE”, foli mbi zhvillimet e fundit politike në Kosovë, ku u shpreh se vendi po përballet me një krizë të rrezikshme me pasoja ndërkombëtare.

Ai paralajmëroi se mungesa e një qeverisjeje të qëndrueshme rrezikon të rikthejë rolin e Kombeve të Bashkuara dhe riaktivizimin e Rezolutës 1244. Sipas Neshos, kjo situatë i shërben drejtpërdrejt narrativës serbe dhe ambicieve ruse për rritjen e ndikimit në rajon.

Ai u ndal edhe te qëndrimet e kryeministrit Edi Rama, duke lënë të kuptohet se ato shkojnë në linjë me interesat e Beogradit në disa çështje rajonale. Nesho theksoi se deklaratat e Aleksandar Vuçiç janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të kushtëzuar zhvillimet në Kosovë.

Në fund, ai nënvizoi se përçarja politike dhe mungesa e unitetit në Kosovë po e thellojnë krizën dhe po hapin rrugë skenarëve të rrezikshëm për të ardhmen e vendit.

Pjesë nga deklarata:

Po të jap një shembull, domethënë një shembull që nuk e kam thënë ndonjëherë. Erdhi presidenti Rugova; i bëra një pritje me Kofi Annan. Ishte një moment krize. Vajti në New Jersey, pas trazirave të vitit 2004, nëse s’gaboj. Edhe Kombet e Bashkuara mbanin një qëndrim. Nuk donte ta priste. Ndërhyra unë me ish-presidentin e Sllovenisë, Danilo Türk, që ishte numri dy, dhe i thashë: duhet ta bësh për Kosovën. Kjo s’ka rëndësi; më falënderoi, madje kam edhe një mirënjohje nga presidenti i lavdishëm. Pa i bërë asgjë, kur për Thaçin dhe të tjerët ke bërë shumë më tepër. Arritëm deri aty sa mora ambasadorin rus; pranonte de facto Thaçin pa i njohur të tjerët, në takimin me gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Dhe kur erdha këtu, nuk më foli Thaçi. Ishim në Sarandë, nuk më foli. Dhe kur të tjerët ndërmjetësuan, çfarë ke me të, me ambasadorin, se ky ka bërë namin për UÇK-në dhe për të? Tha vetëm që priti Rugovën. Ja ku ishte kultura.

Po them edhe një gjë. Edhe ai i majtë, po, i majtë, anëtar i Partisë Popullore, vetëm me aq e tha ai. Këtu më tepër ka një moment që unë dua ta shikoj nga plani i jashtëm. Ju e njihni më mirë, si zoti Peka dhe edhe ju, situatën në Kosovë, por unë dua të them një gjë: kjo situatë dhe kjo spirale ku po futet kriza në Kosovë ka dëme shumë të mëdha. Për arsye se jetojmë në një situatë, siç e thashë në fillim, ku çdo gjë është e mundshme. Rusët, që në atë kohë, me Lavrovin, thoshin se do të ktheheshin si fuqi e madhe botërore vetëm kur të ndërmjetësonin si të barabartë me Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndarjen e Ballkanit në zona të reja influence. Dhe ky është pikësynimi i tyre që vazhdon.

Dëgjova atë “broadcast”-in me Alistair Campbell të Vuçiçit. E tmerrshme. Pashë një gjë skandaloze: një servilizëm dhe vasalitet, ku Vuçiç përmendi si të vetmin udhëheqës emrin e Ramës, si një njeri që e përkrahte në të gjitha iniciativat. Plus, një herë që kishte çështje kontraverse kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të fshehur programin e tyre dhe pse duhet të bëjnë atë lëvizje, me letër për t’u ndarë me atë, thjesht për të thënë se ne do të jemi veçmas dhe projekti ynë nuk është Europa. Tjetër gjë që thotë: na pranoni në Europë, se Amerika po merr pjesë nga influenca europiane dhe sidomos nga Europa Lindore.

Pra, në këtë kuptim, unë them që çështja e Kosovës shumë shpejt, nga situatat kritike të momentit, mund të rikthehet në Kombet e Bashkuara, të riaktivizohet 1244. Në qoftë se ata nuk prodhojnë një qeverisje të qëndrueshme, atëherë do të ngrihen pretendimet pse të mos rritet roli, siç kemi UNMIK-un, siç kemi KFOR-in, të rrisim edhe rolin e UNMIK-ut dhe forcave europiane. Do ta kërkojnë në fillim si kompromis, sepse është nga pamundësia e tyre për të krijuar shtet. Domethënë, biem te e gjithë propaganda që bën Serbia, që thotë se shqiptarët nuk kanë aftësi shtetformuese dhe se ju keni bërë një padrejtësi. Kjo është një çështje që mund ta themi, por ne nuk e pranojmë këtë gjë dhe nuk duhet ta pranojmë.

Duke përfunduar, dua të them diçka që është shumë e rrezikshme: pozicioni i Vuçiçit, që tha para dy ditësh se “kutia e Pandorës është hapur me Kosovën”. Dhe, pa u rregulluar kjo gjë, tha: mos kërkoni as Krimenë, as Ukrainën, as të tjerat. Pra, idetë e tyre nacionaliste nuk përfundojnë këtu. Tani, e vetmja gjë që unë mendoj është që duhet të ketë një unitet në Kosovë, dhe ky unitet të mos jetë ashtu siç e mendon Albini, që unë vazhdoj me qeveri kujdestare; le të marrin institucionet e tjera, të marrin prokurorinë dhe të tjera, dhe të vazhdojmë kështu. Kjo është një egoizëm i shfrenuar. Ashtu si dhe opozita, të mos kënaqet.

Ka dy momente: një tezë që i ka dëmtuar më shumë se gjithçka shqiptarët teza serbe se shqiptarët nuk janë shtetformues që, me atë që po ndodh në Kosovë, po i japim të drejtë. Dhe një fakt tjetër: izolimi ndërkombëtar i shqiptarëve, që i ka dëmtuar gjithmonë. Edhe këtë, duke qenë se po i heqim një president, një presidenti që ishte interlokutori i vetëm në Ballkan i Presidentit Trump, për të vendosur dikë që s’ka lidhje me politikën e jashtme.