Messi flet si pronar i Cornellà-s: Jam i entuziazmuar nga projekti, ju ndjek çdo javë
Lionel Messi ka nisur të lërë menjëherë gjurmë në aventurën e tij të re si pronar i Cornellà-s. ‘Ylli’ argjentinas ka dërguar një mesazh motivues për skuadrën, stafin teknik dhe të gjithë punonjësit e klubit spanjoll, duke treguar përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në projekt.
Përmes një videoje, kampioni i botës është prezantuar para ekipit, duke shprehur dëshirën për të kontribuar në rritjen e klubit: “Doja t’ju përshëndes dhe t’ju them se jemi këtu për të ndihmuar dhe për t’u rritur së bashku”, u shpreh ai, ndërsa futbollistët e skuadrës reaguan me entuziazëm.
Messi theksoi gjithashtu se po e ndjek nga afër ecurinë e ekipit: “Jam shumë i entuziazmuar për këtë projekt. Ju ndjek dhe ju mbështes çdo fundjavë”. Ai zbuloi se i shikon ndeshjet përmes rrjeteve sociale, duke dëshmuar përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj klubit.
Aktualisht, Cornellà po kalon një moment pozitiv në aspektin sportiv, pasi ka siguruar pjesëmarrjen në “play-off”-in për ngjitjen në Segunda RFEF, me dy javë të mbetura nga përfundimi i sezonit.
Blerja e klubit nga Messi, e bërë publike më 16 prill, ka rritur ndjeshëm interesin dhe vëmendjen ndaj këtij projekti. Klubi katalanas ka një traditë në zhvillimin e talenteve, duke nxjerrë lojtarë të njohur si Jordi Alba, dhe tani synon të ndërtojë një të ardhme edhe më ambicioze nën drejtimin e një prej figurave më të mëdha të futbollit botëror.
Në moshën 38-vjeçare, Messi duket i vendosur të jetë aktiv jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, duke u përfshirë drejtpërdrejt në drejtimin dhe zhvillimin e klubit të tij të ri.