Syri Tv/ Dështon mbedhja e Këshillit Bashkiak Bulqizë, banorët e fshatit Gjoricë kundër paneleve fotovoltaike
Dështon mbledhja e këshillit bashkiak Bulqizë, e parashikuar të ndodhte mesditën e kësaj të enjteje (30 prill). Shkak është bërë prezenca e banorëve të fshatit Gjoricë, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e paneleve fotovoltaike në zonën e tyre. Sipas banorëve, projekti është tërësisht në shkelje të ligjit, ndërkohë që në mbështetje të tyre kanë qenë edhe anëtarët e opozitës në këshillin bashkiak
Mbledhja e këshillit bashkiak të Bulqizës, e parashikuar të zhvillohej këtë të enjte, ka dështuar. Shkak janë bërë banorët e fshatit Gjoricë, të cilët kanë kërkuar që të jenë prezent në sallën e mbledhjes së këshillit bashkiak, pasi aty do të diskutohej mbi ndërtimin e paneleve fotovoltaike në zonën e tyre.
Por prania e banorëve të këtij fshati duket se ka shqetësuar drejtuesit e këshillit, të cilët në mënyrë krejt të papritur dhe pa lajmëruar, kanë anuluar mbledhjen. Të paktën kështu u është thënë edhe anëtarëve të opozitës në Këshill, të cilët kërkonin të hynin në sallë, por nuk u është lejuar diçka e tillë, pasi pikërisht në orarin kur duhej të fillonte mbledhja, u është thënë se ajo është shtyrë për një tjetër ditë.
Ashtu si edhe anëtarët e këshillit, edhe banorët e fshatit Gjoricë kërkuan të hynin brenda në sallë, por nuk u lejuan. Këta të fundit shprehen se projekti i ndërtimit të paneleve fotovoltaike në zonën e tyre cënon drejtpërdrejt kullotat që ata përdorin prej vitesh për blegtorinë, duke rrezikuar jetesën e tyre. Banorët pretendojnë gjithashtu se procesi i miratimit të projektit është shoqëruar me parregullsi, pasi firmat në mbështetje të projektit, janë marrë nga persona që nuk jetojnë në fshat, fakt që ka rritur edhe më shumë pakënaqësinë dhe mosbesimin ndaj vendimmarrjes së autoriteteve lokale.
Situata është tensionuar më tej nga prania e forcave të shumta të policisë, të cilat kanë penguar hyrjen e banorëve në sallën e mbledhjes. Banorët kërkojnë dëgjimin e zërit të tyre dhe rishikimin e projektit.