Dhoma e Përfaqësuesve miraton projektligjin për financimin e Sigurisë Kombëtare, i jep fund mbylljes 2-mujore
Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së ka miratuar një projektligj për financimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), duke i dhënë fund një mbylljeje më shumë se dy mujore që ishte më e gjata në histori.
Dhoma miratoi masën e Senatit me votë gojore, duke hapur rrugën për presidentin amerikan, Donald Trump, për ta nënshkruar si ligj.
Projektligji financon gjerësisht DHS-në, por jo operacionet e tij të zbatimit të ligjit për imigracionin, një kërkesë kyçe e demokratëve që kërkojnë reforma të mëdha nga Agjencia e Zbatimit të Ligjit për Imigracionin dhe Doganat (ICE) dhe Patrulla Kufitare (CBP) përpara se të miratojnë fonde të tjera.
Teksa goditja kombëtare e Trumpit ndaj imigracionin ka nxitur protesta në të gjithë vendin për gati një vit, demonstratat që kërkojnë t’i jepet fund kësaj politike u përshpejtuan pasi agjentë federalë vranë me armë dy protestues amerikanë në shtetin Minnesota në muajin janar.
Nuk është e qartë se sa mbështetje mori projektligji nga demokratët, pasi votat individuale nuk u regjistruan. Senati e kishte miratuar më parë masën në fund të marsit dhe megjithëse kryetari i Dhomës, Mike Johnson, fillimisht kishte hezituar, ai lejoi votimin këtë javë mes përplasjes për zbatimin e ligjit të imigracionit.
Menjëherë pas votimit, Johnson e paraqiti atë si fitore politike për republikanët dhe administratën e Trumpit.
“Rezultati neto i miratimit të projektligjit tonë është që ICE dhe CBP financohen për tre vjet dhe demokratët nuk morën absolutisht asgjë për shfaqjen e tyre politike”, tha Johnson për gazetarët.
A tha se financimi i këtyre agjencive të debatueshme federale do të trajtohet në një projektligj të veçantë kur Kongresi të rikthehet në Washington pas një pushimi 1-javor më 12 maj./ AA.