Klopp nuk mendon për Real Madridin, synimi i tij është tjetër dhe nuk lidhet me klubet

Emri i Jürgen Klopp-it është rikthyer sërish në qendër të zërave të merkatos së trajnerëve, duke u lidhur me një kalim të mundshëm te Real Madridi. Megjithatë, sipas mediave spanjolle, këto spekulime nuk kanë baza reale.

Pavarësisht vlerësimit të madh që klubi madrilen ka për trajnerin gjerman, sidomos që nga përballjet e tij të dikurshme me Borussia Dortmundin në arenën europiane, emri i Klopp-it nuk ka qenë kurrë pjesë e diskutimeve serioze për pankinën e “Los Blancos”.

Prej më shumë se një dekade, çdo periudhë merkatoje e rikthen këtë lidhje të mundshme mes Klopp-it dhe Real Madridit, por edhe këtë herë, sipas “AS”, nuk ka asnjë konfirmim nga brenda klubit spanjoll. Drejtuesit e Realit nuk kanë nxituar për të mbyllur marrëveshje, duke qenë të vetëdijshëm se shumë nga emrat e përfolur në media nuk janë pjesë e listës reale të kandidatëve.

Në të vërtetë, e ardhmja e Klopp-it duket se shkon në një drejtim krejt tjetër. Trajneri gjerman, i cili u largua nga Liverpooli në vitin 2024, aktualisht është i angazhuar në strukturën sportive të Red Bull, por ambicia e tij afatgjatë nuk lidhet me klubet.

Sipas raportimeve, Klopp ka një dëshirë të qartë: të drejtojë kombëtaren e Gjermanisë. Edhe pse aktualisht pankina mbahet nga Julian Nagelsmann, Klopp pret momentin e duhur për të realizuar këtë objektiv.

Në këtë mënyrë, ai duket i vendosur të shmangë rikthimin e menjëhershëm në futbollin e klubeve dhe të fokusohet te një projekt më i qetë dhe më i qëndrueshëm, larg presionit të përditshëm që e shoqëroi gjatë viteve të tij te Liverpooli.