Oltijon Kërnaja reagon pas largimit nga Partizani: Krenar për rrugëtimin që ndërtuam
Pas shkarkimit nga drejtimi i Partizanit, trajneri Oltijon Kërnaja ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka falënderuar klubin, stafin dhe tifozët për mbështetjen gjatë periudhës së tij në krye të ekipit.
Kërnaja kujtoi fillimin e projektit, kur skuadra ndodhej në vështirësi dhe kishte shënuar vetëm një gol, duke u renditur në fund të tabelës. Sipas tij, vendimi i presidentit Gaz Demi për t’i besuar drejtimin një trajneri të ri u shoqërua fillimisht me shumë skepticizëm dhe kritika.
“E gjitha nisi me një postim të thjeshtë. Një klub i madh si FK Partizani ishte në vështirësi. Vetëm një gol i shënuar dhe në fund të renditjes. Presidenti Gaz Demi më besoi mua si emër i ri. Kishte shumë kritika dhe mllef, por me punë dhe përkushtim, nga stafi deri te lojtarët, arritëm ta rikthenim Partizanin në garë për Final 4”, shkruan ai.
Trajneri thekson se skuadra arriti të ngjitet deri në vendin e katërt dhe të jetë ende në garë për një vend në Europë, duke e konsideruar këtë si një arritje të rëndësishme për situatën në të cilën ndodhej ekipi.
Në fund të reagimit, Kërnaja ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi:
“Faleminderit presidentit për besimin”
“Faleminderit tifozëve Partizani dhe ultrasve për mbështetjen e vazhdueshme”
“Faleminderit lojtarëve që kanë dhënë gjithçka në fushë”
“Faleminderit stafit për përkushtimin e madh”
“Krenar për atë që kemi dhënë në fushë”, përfundon Kërnaja, duke mbyllur mesazhin e tij me fjalët: “I juaji Olt Kërnaja. Mirutakofshim.”