Lindsey Vonn ende e pasigurtë: Nuk kam vendosur ende nëse do të tërhiqem apo do të vazhdoj

Legjenda e skive alpine, Lindsey Vonn, ka folur hapur për të ardhmen e saj sportive, duke pranuar se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do të vazhdojë karrierën apo do të tërhiqet nga gara.

“Unë nuk dua të nxjerr përfundime të nxituara dhe as të spekuloj për atë që mund të bëj. Mund të tërhiqem. Mund të mos garoj më kurrë dhe do të ishte në rregull, por në këtë moment nuk jam emocionalisht gati për një vendim të tillë”, u shpreh kampionia amerikane.

Vonn po kalon një periudhë të vështirë rikuperimi pas një rënieje të rëndë në Lojërat Olimpike Dimërore, ku pësoi një frakturë serioze në këmbën e majtë dhe iu nënshtrua tetë ndërhyrjeve kirurgjikale, me rrezik të madh edhe për amputim. Më vonë ajo ka pasur edhe dëmtim të ligamentit të kryqëzuar në të njëjtin gju, duke e komplikuar edhe më shumë rikthimin e saj.

41-vjeçarja pranoi se ky dëmtim është ndryshe nga të tjerët që ka kaluar më parë: “Ky ishte një dëmtim shumë më i rëndë, sidomos për shkak të rrezikut të humbjes së këmbës. Dhimbja ishte ekstreme, diçka që nuk e kisha përjetuar kurrë më parë”.

Pavarësisht vështirësive, ajo po bën përparim të ngadaltë në rikuperim, duke kaluar nga karroca në paterica dhe duke planifikuar hapat e parë të ecjes në javët në vijim. Megjithatë, ajo theksoi se një rikthim i mundshëm nuk pritet para viteve 2027–2028, pasi e pret edhe një tjetër ndërhyrje për heqjen e materialeve metalike dhe rindërtimin e ligamentit.

“Edhe nëse gjithçka shkon mirë, do të më duhen të paktën edhe një vit e gjysmë për t’u kthyer në 100%, madje vetëm për stërvitje”, tha ajo.

Pavarësisht gjithçkaje, Vonn mbetet e vendosur dhe pa pengje për karrierën e saj: “Skija alpine është një nga sportet më të rrezikshme në botë dhe unë gjithmonë e kam pranuar këtë rrezik. Nuk pendohem për asgjë. Por nuk dua të filloj nga e para”.

Vendimi përfundimtar për të ardhmen e saj mbetet ende i hapur, ndërsa bota e sportit pret nëse një nga kampionet më të mëdha të skive do të rikthehet apo do ta mbyllë kapitullin e saj legjendar.