Cristiano Ronaldo: Fundi i karrierës po afrohet… le të shijojmë çdo ndeshje
Pas fitores 2-0 të Al-Nassr ndaj Al-Ahli, ku shënoi sërish duke rritur legjendën e tij, Cristiano Ronaldo ka folur hapur për të ardhmen e karrierës së tij dhe për momentin që po i afrohet çdo ditë e më shumë.
Sulmuesi portugez, tashmë 41 vjeç, u shpreh sinqerisht për CanalGOATBR, duke pranuar se fundi i karrierës së tij është pranë: “Fundi i karrierës sime po afrohet… le të shijojmë çdo ndeshje”, tha ai. Megjithatë, Ronaldo theksoi se dëshira për të garuar dhe për të fituar mbetet e paprekur: “Karriera ime ka qenë e jashtëzakonshme dhe dua të vazhdojë të jetë e tillë. Ende po kënaqem, ende po shënoj gola”.
Përtej statistikave personale, ai vuri theksin edhe tek objektivat kolektivë, duke nënvizuar ambicien për të fituar kampionatin në Arabinë Saudite me Al Nassr: “Mbi të gjitha, bëhet fjalë për të fituar. Dhe ne kemi shumë dëshirë ta fitojmë ligën”.
Ronaldo foli edhe për ndikimin e tij në breza të ndryshëm tifozësh dhe lojtarësh: “Unë luaj jo vetëm për këtë brez, por edhe për të mëparshmin dhe për atë që do të vijë. E shijoj çdo ditë, çdo ndeshje, çdo vit, edhe tani që jam afër fundit të karrierës. Kjo është një e vërtetë”.
Në moshën 41-vjeçare, Cristiano Ronaldo vazhdon të luajë me të njëjtën uri për gola dhe trofe, duke mbetur një nga figurat më ikonike të futbollit botëror. Edhe pse fundi po afrohet, ambicia e tij në fushë duket ende pa afat skadimi.