Dhunë e paprecedentë në Itali, tifozët sulmojnë familjen e arbitres 16-vjeçare

Një episod i rëndë dhune ka tronditur futbollin e moshave në Itali, gjatë një ndeshjeje të kampionatit U-17 për femra në Venaria Reale. Gjithçka shpërtheu pas një penalltie të akorduar në minutat e fundit nga një arbitre vetëm 16 vjeçe, në favor të Torinos, e cila më pas rezultoi vendimtare për fitoren 4-3 dhe kreun e renditjes.

Pas vërshëllimës përfundimtare, tensioni doli jashtë kontrollit. Disa “tifozë” vendas, shumë prej tyre prindër të vajzave që luanin në fushë, tentuan të hynin në terren, ndërsa lojtaret përpiqeshin t’i qetësonin, duke u kërkuar të ndalonin sjelljen e turpshme.

Situata u përkeqësua edhe më shumë në tribunë, ku ndodheshin familjarët e arbitres së re. Ata u sulmuan fillimisht verbalisht dhe më pas fizikisht nga mbështetësit vendas. Nëna e saj u ofendua dhe u shty, ndërsa babai, që ndërhyri për ta mbrojtur atë dhe djalin e vogël, u godit me grusht në fytyrë, duke pësuar dëmtim në buzë.

Arbitrja u shoqërua drejt dhomave të zhveshjes nga një drejtues i klubit vendas, ndërsa familjarët e saj, të tronditur nga ngjarja, kërkuan ndërhyrjen e policisë. Megjithatë, për të shmangur përshkallëzimin e situatës, ata u larguan nga kompleksi sportiv para mbërritjes së forcave të rendit.

Gjykatësi sportiv, Armando Francia, vendosi një gjobë prej 400 eurosh ndaj klubit vendas, duke theksuar se ngjarja krijoi frikë dhe panik për arbitren dhe familjen e saj.

Nga ana tjetër, presidenti i klubit, Giovanni Pasquale, dënoi ashpër incidentin, duke kërkuar respekt dhe edukatë në sport, sidomos në nivelet e të rinjve. Ai premtoi masa konkrete për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla, duke theksuar se sporti duhet të mbetet një hapësirë e sigurt dhe edukative për të rinjtë.