Bayern–PSG, çmenduri për biletat, në tregun e zi shkojnë deri në 8.000 euro
Entuziazmi për gjysmëfinalen e kthimit të UEFA Champions League mes Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain ka arritur kulmin. Pas spektaklit të jashtëzakonshëm 5-4 në ndeshjen e parë, interesimi i tifozëve është shpërthyes, ndërsa kërkesa për bileta ka tejkaluar çdo parashikim.
Në ‘Allianz Arena’ pritet një atmosferë elektrizuese, me rreth 3.700 tifozë të ekipit francez që do të jenë të pranishëm për këtë sfidë vendimtare. Biletat për sektorin e miqve janë shitur brenda pak minutash, të shtyra nga emocionet dhe pritshmëritë e mëdha që ka krijuar përballja e parë.
Për ata që nuk arritën të siguronin një vend në stadium, opsioni i vetëm mbetet tregu i zi, ku çmimet kanë kapur nivele marramendëse. Nga rreth 1.400 euro në fillim, ato kanë shkuar deri në 8.000 euro, duke e bërë praninë në stadium një luks të paarritshëm për shumë tifozë.
“Është për të qarë. Para ndeshjes së parë çmimet ishin shumë më të ulëta, tani është e pamundur”, shprehet një tifoz i PSG-së që ka mbetur pa biletë. Ndërkohë, një tjetër tregon sakrificën e tij: “E bleva të hënën dhe do të bëj vajtje-ardhje brenda ditës nga Parisi. Dhjetë orë udhëtim, por ia vlen”.
Ka edhe nga ata që e kanë organizuar gjithçka me kohë dhe shpresojnë që skuadra e tyre të thyejë më në fund tersin në Mynih. Në anën tjetër, disa tifozë kanë nisur të mendojnë edhe për një udhëtim drejt Budapestit, me shpresën se skuadra e tyre do të sigurojë finalen.