Serie A ‘përmbyset’ nga tenisi: Roma–Lazio mund të luhet në 12:30, ndryshon kalendari i javës së 37-të
Programi i ndeshjeve të javës së 37-të në Serie A, që lidhen me garën për zonën evropiane, mund të ndryshojë ndjeshëm… për shkak të tenisit. E diela e 17 majit nuk do të jetë një datë e zakonshme për sportin italian, pasi në Foro Italico në Romë do të zhvillohet finalja e ‘Internazionali d'Italia’, turne që vitin e kaluar vuri përballë Jannik Sinner dhe Carlos Alcaraz.
Vetëm pak metra më tej, ‘Stadio Olimpico’ do të jetë gati për një tjetër përballje të zjarrtë, kësaj here në futboll: derbin Roma–Lazio. Kjo sfidë pritet të spostohet në orën 12:30, siç ka paralajmëruar presidenti i Lega Serie A, Ezio Simonelli. “Do të përpiqemi të shmangim mbivendosjen me finalen e turneut të tenisit. Në mbrëmje nuk është e mundur, as pasdite, pasi luhet finalja, ndaj mbetet ora 12:30 dhe besoj se kjo do të jetë zgjedhja”, u shpreh ai.
Duke qenë se bëhet fjalë për javën e parafundit të kampionatit dhe rregullorja kërkon zhvillimin në të njëjtën kohë të ndeshjeve mes skuadrave me objektiva të njëjtë, jo vetëm derbi i Romës do të luhet në mesditë. Me shumë gjasa, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me përballjet e Comos dhe Atalantës, që presin respektivisht Parmën dhe Bologna-n.
Në këtë skenar mund të përfshihet edhe Juventusi, që pret Fiorentinën, si dhe sfidat Genoa–Milan dhe Pisa–Napoli, nëse këto skuadra nuk e kanë siguruar ende kualifikimin në UEFA Champions League.
Në total, deri në gjashtë ndeshje nga dhjetë mund të ndryshojnë orarin për shkak të tenisit. Programin e plotë e plotësojnë përballje si Cagliari–Torino, festa e mundshme e titullit për Interin ndaj Verona, si dhe duelet për mbijetesë si Sassuolo–Lecce dhe Udinese–Cremonese.