Tare: Te Milani duhet të fitosh, Leao ka potencial të jashtëzakonshëm
Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka folur hapur për ambiciet e klubit kuqezinj dhe për disa nga protagonistët kryesorë të skuadrës. Në një intervistë për DAZN, në formatin “Giorgia’s Secret”, ai ka theksuar se të jesh pjesë e një klubi si Milani do të thotë të mbash mbi supe përgjegjësi të mëdha.
“Dita kur mbylla marrëveshjen ishte një nga më të bukurat e jetës sime. Për të qenë te Milani, duhet të rikthehesh te fitoret. Këtu duhet të lësh gjurmë”, u shpreh Tare, duke nënvizuar qartë mentalitetin fitues që kërkohet në një klub gjigant si ai kuqezinj.
Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua edhe ‘yllit’ portugez, Rafael Leão, për të cilin drejtori sportiv kishte vetëm vlerësime. “Ai ka një potencial të jashtëzakonshëm. Siç thotë Luka Modrić, ndoshta as vetë nuk e kupton sa i fortë është”, deklaroi Tare, duke shtuar se Leao mbetet një nga asetet më të rëndësishme për të ardhmen e skuadrës.
Në fund, Tare u ndal edhe te marrëdhënia e tij me Zlatan Ibrahimović-in, një tjetër figurë e rëndësishme në ambientin kuqezi. “Jemi dy njerëz nga Ballkani, ia themi gjërat në sy njëri-tjetrit”, përfundoi ai, duke treguar për një raport të drejtpërdrejtë dhe pa filtra.