SYRI TV/ Berisha merr pjesë në takimin e IDU, mban fjalën në forumin kryesor: Autokracia zgjedhore, pengesë për BE
Në një nga panelet kryesore të Forumit të International Demokrat Union në Zagreb, lideri i opozitës Sali Berisha ka renditur tre arsyet pse Shqipëria, mbetet larg Bashkimi Evropian. Lideri i opozitës listoi si arsyet kryesore, mungesën e zgjedhjeve të lira, kthimin e Shqipërisë në një narkoshtet dhe devijim nga rruga evropiane përmes nismave rajonale Rama- Vuçiç.
Syri tv
Në një moment kyç për zhvillimet gjeopolitike dhe të ardhmen e Evropës, Forumi i Internacional Demokrat Union, një nga platformat më të rëndësishme të së djathtës globale, po zhvillon punimet në Zagreb, ku janë mbledhur liderë dhe personalitete të larta politike për të diskutuar sfidat ndërkombëtare, sigurinë dhe perspektivën e zgjerimit të Bashkimit Europian. Në këtë forum të nivelit të lartë, ku vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe Ballkanit Perëndimor, lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha mbajti fjalën në një nga panelet kryesore, duke paraqitur një vlerësim për rrugën evropiane të Shqipërisë. Berisha foli për tre pengesat kryesore që po pengojnë anëtarësimin e vendit në bashkimin evropian, duke theksuar se mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme e kthimi i vendit në një autokraci zgjedhore nga kryeministri Edi Rama është një prej arsyeve kryesore.
Një tjetër shqetësim ishte ndikimi i kriminalitetit në strukturat shtetërore dhe në ekonomi. Kreu i partisë demokratike deklaroi se kthimi I Shqipërisë në “narkoshtet”, ka krijuar një deformim të thellë të tregut dhe të vendimmarrjes, duke cenuar funksionimin e shtetit ligjor.
Në vijim, ai solli një argument ekonomik për të ilustruar këtë realitet. Berisha u ndal te zhvlerësimi i euros dhe dollarit ndaj lekut si pasojë e hyrjes së parasë informale në treg që po prodhon pasoja që rëndojne mbi qytetarët dhe ekonominë.
Lideri i Partisë Demokratike kritikoi nismat rajonale të kryeministri Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, duke i cilësuar si iniciativë që lëvizin në drejtim të kundërt me rrugën e integrimit Evropian.
Në përfundim, lideri i opozitës theksoi se pengesat për integrimin evropian të Shqipërisë mbeten kryesisht të brendshme dhe të lidhura me zhvillimet politike, ekonomike dhe rajonale, duke nënvizuar se procesi duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe standarde.