Formula 1/ Moti i keq vë në rrezik Çmimin e Madh të Miamit

Muaji prill la pa gara tifozët e Formula 1 për arsye politike, por rikthimi në pistë në fillim të majit mund të vihet sërish në rrezik. Çmimi i Madh i Miamit përballet me një kërcënim serioz nga kushtet atmosferike, pasi parashikimet flasin për stuhi të forta të shoqëruara me rrufe në ditën e garës.

Ndërsa e premtja dhe e shtuna pritet të zhvillohen në kushte ideale, me diell dhe temperatura verore, situata ndryshon ndjeshëm të dielën.

Sipas parashikimeve, ekziston rreth 70% mundësi për mot të keq, çka mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e garës.

Rregulloret në fuqi në Florida janë shumë të rrepta për eventet në ambiente të hapura: në rast se ka rrufe, aktiviteti duhet të pezullohet menjëherë për arsye sigurie.

Kjo e vendos në pikëpyetje jo vetëm garën kryesore, por edhe organizimin e përgjithshëm të fundjavës.

Megjithatë, deri në këto momente, Çmimi i Madh i Miamit mbetet i konfirmuar, duke përfshirë provat e lira, “Sprint Race” dhe garën finale.

Organizatorët po monitorojnë situatën nga afër, ndërsa vendimet përfundimtare do të varen nga evoluimi i motit.

Në të njëjtën kohë, kjo garë do të shënojë edhe hyrjen në fuqi të disa rregullave të reja të miratuara për rritjen e sigurisë.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme është ndalimi i përdorimit të “Boost Mode” në kushte shiu, për të reduktuar rreziqet në pistë.

Tashmë sytë janë nga qielli i Miamit, ku moti mund të bëhet protagonisti i vërtetë i një fundjave që pritej të rikthente spektaklin e munguar të Formula 1.