Apeli liron nga burgu biznesmenin Ervis Lami, bashkëpunëtor i Evis Berberit në dosjen e ARRSH
Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur lirimin nga qelia të biznesmenit Ervis Lami, i përfshirë në dosjen e bujshme të ARRSH-së, ku ai akuzohet së bashku me ish-drejtuesin Evis Berberi dhe rreth 20 persona të tjerë për një sërë veprash penale.
Sipas hetimeve, të pandehurit dyshohen për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion pasiv, mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim dokumentesh. Lirimi i Lamit vjen vetëm pak ditë pasi Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin e tij me 4 vite shërbim prove, pas marrjes së statusit si bashkëpunëtor i drejtësisë.
Referuar dosjes hetimore, Ervis Lami rezulton pronar fiktiv i kompanisë “DAAM shpk”, ndërsa pronari faktik dyshohet të ketë qenë ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi. Sipas SPAK, kjo kompani ka përfituar një numër të konsiderueshëm tenderash me vlera të larta, gjatë kohës që Berberi mbante poste drejtuese në institucionet publike, përfshirë Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Njoftimi i GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 30.04.2026, disponoi për çështjen penale nr. 119 akti, datë 22.04.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit E.L, “Ankim kundër vendimit nr. 233 akti, datë 19.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, dhënë ndaj shtetasit E.L me vendimin nr. 21, datë 13.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në një masë tjetër më të butë, si ajo e “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ose “Garancia pasurore”, në vlerën që gjykata mund të vlerësojë të drejtë për plotësimin e nevojave të sigurimit”, si vijon:
1. Ndryshimin e Vendimit 233 Regjistri Themeltar, datë 19.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2. Revokimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj Z. E.L të caktuar me Vendimin nr. 21 Akti, datë 13.03.2024 dhe të verifikuar me Vendimin nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
3. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i Z. E.L nga paraburgimi, nëse liria e tij personale nuk kufizohet për ndonjë shkak tjetër ligjor.
4. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.
5. Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall në Tiranë, sot më datë 30.04.2026.