UEFA shpjegon penalltinë e anuluar të Arsenalit

Barazimi 1-1 mes Atleticos dhe Arsenalit në gjysmëfinalen e parë të Champions League vazhdon të shkaktojë debat, me episodin e penalltisë së anuluar që mbetet në qendër të polemikave.

Ndeshja në “Wanda Metropolitano” u karakterizua nga vendime të diskutueshme, ku u akorduan tri penallti, por njëra prej tyre u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it.

Ky vendim shkaktoi reagime të forta te londinezët, të cilët e konsiderojnë një gabim të rëndë.

Në fundin e takimit, arbitri Danny Makkelie fillimisht akordoi penallti për Arsenalin, pasi David Hancko u konsiderua se kishte ndërhyrë ndaj Eberechi Eze në zonë.

Megjithatë, pas konsultimit me VAR-in, vendimi u anulua, duke shkaktuar protesta të ashpra.

Pas ndeshjes, edhe UEFA reagoi zyrtarisht, por me një shpjegim minimal: “Lojtari i Atleticos me numrin 17 nuk bëri faull ndaj një kundërshtari”.

Një deklaratë e shkurtër që nuk ka shuar debatet, përkundrazi i ka shtuar ato.

Nga ana tjetër, Arsenali mbetet i bindur se ka pasur kontakt të qartë dhe se vendimi i VAR-it i ka mohuar një mundësi të artë për të marrë avantazhin në një moment vendimtar.

Tashmë gjithçka zhvendoset në ndeshjen e kthimit në Londër, ku pritet një tjetër përballje e zjarrtë, ndërsa polemikat për gjykimin pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.