Malltezi vë në vështirësi Taulant Ballën në sallën e gjyqit: Ja si iu shmang pyetjes për firmën e Ramës…
Seanca gjyqësore për çështjen “Partizani” në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka nisur me dëshminë e kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili për rreth dy orë i është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve dhe të pandehurit Jamarbër Malltezi.
Gazetari i SYRI , Fation Gjinaj, tregon për edicionin e lajmeve se dëshmia e Ballës, i cili është kallëzuesi kryesor në këtë dosje, është karakterizuar nga paqartësi dhe përgjigje evazive, veçanërisht gjatë marrjes në pyetje nga Malltezi.
Një nga pikat kyçe të dëshmisë, tregon Gjinaj, ishte statusi me të cilin Balla kishte bërë kallëzimin penal vite më parë. Ai nuk dha një përgjigje përfundimtare nëse kishte vepruar si qytetar i thjeshtë apo si përfaqësues politik i Partisë Socialiste.
Sipas Ballës, ai ishte nxitur si qytetar, duke argumentuar se moskallëzimi i një krimi përbën vepër penale, por nga ana tjetër pranoi se një pjesë të dokumentacionit e kishte siguruar duke shfrytëzuar funksionin e tij si deputet.
Gjatë seancës, pala mbrojtëse e Malltezit e vuri në vështirësi dëshmitarin lidhur me burimin e informacionit për pretendimet e ngritura në kallëzim. Pas insistimit, Taulant Balla pranoi se kallëzimi i tij ishte bazuar kryesisht në raportime mediatike dhe denoncime publike, duke veçuar portalin “shqiptarja.com” si një nga burimet kryesore ku ishte referuar. Ai u shfaq i papërgatitur dhe i përgjithshëm kur u pyet për detaje konkrete si data, vlera apo rrethana specifike, duke mos paraqitur fakte konkrete.
Sipas Gjinajt, një moment tjetër i tensionuar ishte kur Malltezi e pyeti Ballën lidhur me vendimin e vitit 2006 të Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRT), të firmosur nga kryebashkiaku i atëhershëm i Tiranës, Edi Rama, që lidhej me kompleksin “Partizani”. Balla u tregua sërish evaziv, duke pohuar se nuk kishte dijeni për vendimet e KRT-së së asaj kohe. Seanca u shoqërua me ndërhyrje të shpeshta nga prokurorët Enkeleda Millonai dhe Arben Kraja, të cilët i kërkuan trupit gjykues të ndalonte disa nga pyetjet e Malltezit, me pretendimin se ishin “sugjestionuese” dhe “orientuese”. Në shumicën e rasteve, gjykata ka lejuar vazhdimin e pyetjeve. Pas dy orësh dëshmi, seanca u ndërpre për një pushim të shkurtër, për të rinisur më pas me dëshminë e Taulant Ballës.