Gravina: E turpshme që Italia të shkojë në Botëror në vend të Iranit

Ish-presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, ka reaguar ashpër ndaj zërave që sugjerojnë se Italia mund të marrë pjesë në Kupa e Botës 2026 në vend të Iranit.

Sipas tij, një skenar i tillë do të ishte “i turpshëm” dhe në kundërshtim me parimet sportive.

Gravina, i cili dha dorëheqjen në fund të marsit pas dështimit të Italisë për t’u kualifikuar për herë të tretë radhazi në një Botëror, theksoi se vendimi i tij ishte personal dhe i ndërgjegjshëm.

“U premtova tifozëve se do të kualifikoheshim dhe nuk arrita ta mbaja këtë premtim. Ishte një akt përgjegjësie”, deklaroi ai.

Ai hodhi poshtë idenë se ka dështuar plotësisht në drejtimin e federatës, duke nënvizuar se puna e institucionit shkon përtej një skuadre të vetme.

Sipas Gravinës, opinioni publik shpesh ngatërron përgjegjësitë dhe i atribuon federatës fajin për çdo rezultat negativ të ekipit kombëtar.

“Ne kemi shumë përfaqësuese, jo vetëm një. Megjithatë, gjithçka gjykohet nga rezultatet e ekipit të parë. Kërkohet gjithmonë një ‘kokë turku’, por realiteti është më kompleks,” u shpreh ai.

Në lidhje me sugjerimet që Italia të zëvendësojë Iranin në Botëror, Gravina ishte i prerë: “Vetëm në fushë fitohet e drejta për të qenë aty. Çdo gjë tjetër do të ishte e padrejtë dhe e papranueshme”.

Në fund, ai konfirmoi se i qëndron vendimit për të emëruar Gennaro Gattuson si trajner të përfaqësueses pas largimit të Luciano Spalletti, duke besuar se ky ishte hapi i duhur për të ardhmen e skuadrës “Azzurre”.