Kapen duke vjedhur naftë nga furgoni në Itali, në pranga shqiptari dhe një 60-vjeçar italian
Dy persona kanë rënë në prangat e policisë italiane pasi u kapën në flagrancë duke vjedhur karburant nga një furgon i parkuar në rrugë. Ngjarja ka ndodhur në Nova Milanese, pranë Milanos, në orët e para të mëngjesit të 24 prillit.
Sipas autoriteteve, një 24-vjeçar shqiptar dhe një 60-vjeçar italian u arrestuan nga karabinierët gjatë një patrullimi rutinë, teksa u konstatuan duke ndërhyrë në një mjet të parkuar në rrugën “Calatafimi”. Me të parë forcat e rendit, ata tentuan të largoheshin, por u ndaluan pas një ndjekjeje të shkurtër.
Nga verifikimet në vendngjarje rezultoi se autorët kishin hapur një vrimë në pjesën e poshtme të depozitës së furgonit, duke shkaktuar rrjedhjen e naftës në tokë. Pranë mjetit u gjetën edhe disa bidonë që përdornin për të mbledhur karburantin.
Gjatë kontrollit në automjetin e tyre, policia zbuloi edhe pesë bidonë të tjerë plastikë me rreth 64 litra naftë të vjedhur, e cila më pas iu kthye pronarit të ligjshëm. Të dy të arrestuarit, të njohur më parë nga autoritetet, u shoqëruan në komisariat dhe po mbahen në pritje të gjykimit të menjëhershëm.