Alergjitë sezonale shtohen në pranverë, mjekët apelojnë për kujdes
Periudha nga fillimi i muajit prill deri në fund të qershorit konsiderohet si më problematikja për personat që vuajnë nga alergjitë e stinës së pranverës.
Sipas mjekut alergolog dhe shefit të Poliklinikës së Specialiteteve në Shkodër, Egir Lezha, të gjitha moshat janë të ekspozuara ndaj këtyre alergjive, ndaj kujdesi për shëndetin duhet të jetë më i madh gjatë kësaj periudhe.
Mjeku Lezha thekson rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të alergjive sezonale, duke bërë apel që qytetarët të mos i neglizhojnë simptomat dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore në kohë.
Sipas tij, në Poliklinikën e Shkodrës regjistrohen mesatarisht deri në 20 vizita në ditë për shkak të alergjive të stinës.
Specialistët e shëndetit publik këshillojnë që personat që vuajnë nga alergjitë sezonale të konsultohen me mjekun dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë muajve të pranverës, kur përqendrimi i poleneve në ajër është më i lartë dhe simptomat bëhen më të shpeshta.