Klubet arabe në ‘sulm’ për Raphinhën
E ardhmja e Raphinhës mund të kthehet në një nga temat më të nxehta të merkatos verore, pasi disa klube nga Saudi Pro League kanë nisur lëvizjet për ta transferuar.
Situata krijon një dilemë serioze për Barcelonën, që nuk dëshiron të humbasë një nga lojtarët më të rëndësishëm të saj.
Sezoni 2025-2026 ka qenë me ulje-ngritje për brazilianin, i cili është ndalur disa herë nga dëmtimet, por mbetet një element kyç në skemat e trajnerit Hansi Flick.
Madje, mungesa e tij është ndjerë qartë në performancat e skuadrës, duke konfirmuar peshën që ai ka në repartin ofensiv.
Sipas raportimeve, Raphinha ka një marrëveshje verbale për t’u larguar drejt Arabisë Saudite në momentin që ai vetë do ta konsiderojë të përshtatshëm.
Tre klube të mëdha saudite pritet të paraqesin oferta konkrete gjatë verës, ndërsa kontaktet me agjentin e lojtarit mund të nisin shumë shpejt.
Interesimi nuk është i ri, pasi klubet arabe e kanë ndjekur prej kohësh profilin e tij dhe e shohin si një përforcim ideal për të ruajtur nivelin e lartë të kampionatit, sidomos në një periudhë kur disa emra të mëdhenj pritet të largohen pas përfundimit të kontratave.
Megjithatë, Barcelona mbetet e vendosur për ta mbajtur sulmuesin anësor, pavarësisht planeve për të afruar një lojtar të ri në krahun e majtë.
Duke marrë parasysh edhe lidhjen e fortë të Raphinhës me klubin katalanas, një largim në vitin 2026 do të ishte një surprizë e madhe.
Gjithçka mbetet për t’u parë në javët në vijim, ku merkatoja pritet të japë sinjalet e para konkrete për të ardhmen e brazilianit.