Legjenda e Manchester United, Ashley Young i jep fund karrierës 23-vjeçare

Një nga emrat më të njohur të Manchester United, Ashley Young, ka njoftuar se do të tërhiqet nga futbolli në fund të këtij sezoni, duke mbyllur një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në moshën 40-vjeçare.

Ish-kapiteni i “Djajve të Kuq” ka pasur një sezon të vështirë për shkak të problemeve fizike, duke mos luajtur që nga janari me Ipswich Town.

Në një deklaratë emocionale, ai konfirmoi vendimin për t’u tërhequr, duke i dhënë fund një rrugëtimi 23-vjeçar në nivelet më të larta të futbollit.

Young e nisi karrierën te Watford në vitin 2003, përpara se të transferohej te Aston Villa në vitin 2007, ku paraqitjet e tij tërhoqën vëmendjen e legjendarit Sir Alex Ferguson.

Në verën e vitit 2011, Manchester United investoi rreth 19.6 milionë euro për ta afruar në “Old Trafford”.

Young la menjëherë gjurmë, sidomos në fitoren historike 8-2 ndaj Arsenalit, ku realizoi dy gola dhe dhuroi tri asistime.

Ai ishte pjesë e skuadrës kampione të sezonit 2012-2013 në Premier League, titulli i fundit i United në këtë kompeticion. Gjatë kohës së tij në klub, Young regjistroi 261 paraqitje, duke kaluar nga një anësor ofensiv në një mbrojtës krahu të besueshëm.

Në vitin 2019, ai u emërua kapiten nga Ole Gunnar Solskjaer, duke marrë shiritin pas largimit të Antonio Valencia.

Me një karrierë të pasur dhe plot momente të paharrueshme, Ashley Young largohet nga futbolli si një figurë e respektuar dhe një shembull profesionalizmi në arenën ndërkombëtare.