Arteta shpërthen pas barazimit me Atleticon: Na hoqën një gol që të çon në finale

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka reaguar me tone të ashpra pas barazimit 1-1 ndaj Atleticos në gjysmëfinalen e parë të Champions League.

Tekniku spanjoll është ndalur te episodi më i diskutueshëm i takimit: penalltia e dhënë për londinezët dhe më pas e anuluar pas ndërhyrjes së VAR-it.

Arteta nuk e fshehu zemërimin për vendimin e arbitrave, duke e cilësuar atë si të papranueshëm dhe të pakuptueshëm, sidomos në një fazë kaq të rëndësishme të kompeticionit.

Sipas tij, mungesa e konsistencës në vendimmarrje po ndikon drejtpërdrejt në fatin e skuadrave.

“E pranoj penalltinë që vendosën të japin kundër nesh, por nuk mund të pranoj penalltinë që na hoqën me VAR. Arbitri vendosi ta anulojë atë penallti, është e pakonceptueshme. E pa tri herë dhe vendosi ta heqë. Është çështje uniformiteti, mbi të gjitha nëse shohim atë që ndodhi në ndeshjen PSG-Bayern. Është një gol, me shumë mundësi vendimtar për të shkuar në finale”,  deklaroi ai.

Ndeshja në Madrid u mbyll në barazim 1-1, me të dy golat që erdhën nga pika e bardhë, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit në Londër.

Megjithatë, polemikat për gjykimin pritet të vazhdojnë, ndërsa Arsenali beson se është dëmtuar në një moment kyç të sezonit.