Kushtetuesja për TikTok, Neza: Vendimi i qeverisë, më shumë se liri shprehjeje, ishte korrupsion zgjedhor
Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim me rëndësi parimore në lidhje me bllokimin e rrjetit social TikTok, duke vendosur një precedent të rëndësishëm për lirinë e shprehjes dhe kufijtë e pushtetit ekzekutiv. Megjithëse vendimi vjen “post-factum”, pasi vetë qeveria e kishte tërhequr tashmë vendimin e saj, ai sanksionon se çështje të tilla nuk mund të vendosen pa kaluar nëpërmjet Parlamentit.
Sipas analistit Sami Neza që ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, Gjykata Kushtetuese vendosi të shprehej për shkak të rëndësisë së madhe që mbart një vendimmarrje e tillë, e cila prek drejtpërdrejt të drejtat themelore kushtetuese, si liria e shprehjes dhe liria e medias. Vendimi i Gjykatës, edhe pse i vonuar, shërben si një barrierë ligjore, duke e bërë të pamundur ose të paktën duke e vështirësuar ndjeshëm që kjo qeveri, apo çdo qeveri tjetër në të ardhmen, të marrë një vendim të ngjashëm në mënyrë të njëanshme.
Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, Neza thekson se çështjet që lidhen me lirinë e shprehjes, mendimit dhe informacionit duhet detyrimisht të kalojnë për diskutim dhe miratim në Parlament. Për shkak të cilësisë së tyre kushtetuese, ato kërkojnë një shqyrtim dhe trajtim me kujdesin maksimal, duke mos u lënë në dorën e një vendimi ekzekutiv.
"Duhet theksuar që çështja e mbylljes së TikTok-ut, duke e vendosur në kontekstin e asaj periudhe, tre muaj përpara zgjedhjeve parlamentare, nuk është vetëm çështje që lidhet me kufizimin e lirisë së shprehjes, por është edhe korrupsion zgjedhor në fakt," deklaroi Neza.
Flavio Qarri: Çështja është, e para njëherë një koment për këtë vendim të Kushtetueses, mbi të gjitha çfarë vlere ka post-factum?
Sami Neza: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi në fakt pas vendimit tjetër të qeverisë e cila lejoi përdorimin e TikTok-ut në rrjetet sociale në Shqipëri. Por megjithatë, Gjykata Kushtetuese vendosi të marrë një vendim për shkak të rëndësisë së madhe që ka një lloj vendimmarrje e tillë e cila lidhet me të drejtat kushtetuese, ndër të cilat janë shumë të rëndësishme edhe e drejta e shprehjes dhe liria e medias. Në, në të dyja rastet, Gjykata Kushtetuese konsideroi se përmes një vendimi edhe post-factum, e bënte të pamundur ose e vështirësonte marrjen e një vendimi të ngjashëm nga kjo qeveri apo çfarëdo lloj qeverie tjetër, duke sanksionuar se çështjet e tilla të cilat lidhen me lirinë e shprehjes dhe lirinë e mendimit, lirinë e informacionit, janë çështje të cilat duhet të kalojnë përmes parlamentit dhe edhe kur kalojnë përmes parlamentit, për shkak të, cilësisë së tyre kushtetuese duhet të, shqyrtohen dhe të trajtohen me një kujdes të madh.
Duhet, duhet theksuar, duhet theksuar që çështja e, që çështja e mbylljes së TikTok-ut nuk është thjesht në momentin kur u mbyll dhe duke e vendosur në kontekstin e asaj periudhe, tre muaj përpara zgjedhjeve parlamentare, nuk është vetëm çështje që lidhet me kufizimin e lirisë së shprehjes, por është edhe korrupsion zgjedhor në fakt.