Interi merr frymë lirisht, Lautaro rikthehet me grupin: synimi është finalja ndaj Lazios

Lajme shumë pozitive për Interin, teksa kapiteni Lautaro Martínez është rikthyer në stërvitje me grupin pas dëmtimit që e mbajti larg fushave.

Sulmuesi argjentinas u pa sot në “Pinetina” duke u stërvitur normalisht me pjesën tjetër të skuadrës së drejtuar nga Cristian Chivu, pas disa ditësh ku kishte zhvilluar vetëm programe të personalizuara rikuperimi. Rikthimi i tij vjen në një moment shumë të rëndësishëm për zikaltrit, që janë pranë sigurimit matematik të titullit në Serie A.

Interi do të përballet me Parma në “San Siro”, një ndeshje që mund të vulosë “Scudetto”-n. Megjithatë, stafi teknik nuk dëshiron të rrezikojë me gjendjen fizike të Lautaros dhe nuk ka ende një vendim nëse ai do të jetë titullar në këtë përballje.

Objektivi kryesor mbetet që “Toro” të arrijë formën optimale për finalen e Kupës së Italisë kundër Lazio, e cila do të zhvillohet më 13 maj në “Olimpico” të Romës. Përpara kësaj finaleje, Interi dhe Lazio do të përballen edhe në kampionat më 9 maj.

Ndërkohë, në stërvitjen e fundit, Hakan Çalhanoğlu dhe Luis Henrique kanë vijuar të stërviten të diferencuar, duke mbetur ende në proces rikuperimi.

Rikthimi i Lautaros përbën një shtysë të madhe për Interin në këtë fazë vendimtare të sezonit, ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.