Qytetet dhe fshati po bashkohen në një peizazh të vetëm

Dikur qytetet kishin kufij të qartë: nga qendra e zhurmshme kaloje në lagje më të qeta, pastaj në ferma dhe më pas në natyrë të hapur. Sot këta kufij po zhduken. Shtëpitë, rrugët dhe bizneset shtrihen në mënyrë të çrregullt dhe hapësirat që dikur dukeshin të ndara tani përzihen.

Mënyra si i kuptojmë qytetet ndikon në mënyrën si ndërtojmë, si mbrojmë natyrën dhe si jetojmë çdo ditë. Kur kufijtë bëhen të paqartë, mënyrat e vjetra të planifikimit nuk funksionojnë më. Sipas një studimi të ri, duhet t'i rishikojmë këto ndarje.

Studiuesi Steward Pickett thotë se dallimi mes qytetit dhe fshatit ka kohë që po zbehet. Nuk mund të ecësh më drejt nga qendra e qytetit dhe të thuash saktësisht ku mbaron "urbani".

Studimi propozon një ide të thjeshtë: në vend që zonat të quhen vetëm urbane, rurale apo natyrore, ato duhet parë si përzierje. Një lagje mund të jetë kryesisht urbane, ndërsa tjetra mund të ketë më shumë gjelbërim, toka bujqësore apo hapësira të lira.

Pickett e përshkruan këtë si një mozaik. Një vend mund të jetë 70% urban dhe 30% rural, ndërsa pranë tij mund të jetë e kundërta. Ky koncept quhet "vazhdimësia e urbanitetit" dhe pasqyron realitetin që shumë njerëz tashmë e shohin: kafshë të egra në periferi, kopshte në qytet dhe zakone urbane në fshat.

Këto peizazhe të përziera lidhen nga lëvizja. Rrugët, hekurudhat dhe rrjetet digjitale lidhin zona që dikur dukeshin larg. Njerëzit udhëtojnë për punë, mallrat transportohen dhe idetë përhapen shpejt. Një shembull është Mid-Hudson Valley në New York, ku qytetet e vogla, fermat dhe pyjet lidhen ngushtë me qytetin e Nju Jorkut.

Ndryshimet në një vend mund të ndikojnë edhe më gjerë. Gjatë pandemisë COVID-19, shumë banorë të qytetit u zhvendosën në këtë zonë, duke rritur çmimet e shtëpive dhe presionin mbi pyjet. Rritja e blerjeve onlajn solli magazina dhe më shumë trafik.

Këto efekte shtrihen edhe globalisht. Tregtia mund të sjellë dëmtues që shkatërrojnë pyjet, ndërsa kërkesa për produkte në një vend mund të çojë në shpyllëzim diku tjetër. Ndryshimet klimatike e bëjnë situatën edhe më komplekse.

Ndarja e zonave vetëm si urbane apo rurale mund të fshehë probleme të rëndësishme. Për shembull, lidhja e pyjeve në periferi ka ndihmuar përhapjen e rriqrave që transmetojnë sëmundjen Lyme.

Studiuesit theksojnë se qyteti dhe fshati janë të lidhur fort dhe nuk mund të kuptohen veçmas. Vendimet për rrugët, banesat apo mbrojtjen e natyrës ndikojnë në të gjitha këto hapësira njëkohësisht.

Studimi përmend katër faktorë kryesorë: mënyra si njerëzit fitojnë jetesën, stili i jetesës, lidhjet ekonomike e sociale dhe vendndodhja. Të gjitha këto bashkëveprojnë dhe formojnë përvojën e përditshme.

Kjo qasje i shtyn planifikuesit të mendojnë më thellë. Nuk mjafton vetëm efikasiteti; duhet parë si ndikojnë vendimet në jetën e njerëzve dhe në mjedis.

Koncepti po përdoret edhe për të kuptuar ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe për të planifikuar më mirë. Ideja kryesore është e thjeshtë: vendet nuk janë kategori të fiksuara, por përzierje që ndryshojnë me kohën.

Kjo mënyrë e re të menduari mund të mos duket spektakolare, por ndryshon mënyrën si marrim vendime. Ajo ngre një pyetje të thjeshtë: po sikur kufijtë që përdorim të mos kenë qenë kurrë vërtet aty? / Earth – Syri.net