Aksident në aksin Memaliaj–Iliras, 8 të plagosur, dyshohet parakalim i gabuar nga një shtetas indian

Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e sotme në aksin Memaliaj–Iliras, në afërsi të fshatit Iliras, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën kokë më kokë teksa lëviznin në drejtime të kundërta.

Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të lënduar tetë persona, të cilët ndodheshin në mjetet e përfshira në aksident. Sipas burimeve, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

Të lënduarit janë transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Gjirokastër, ku po marrin trajtim mjekësor.

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se aksidenti është shkaktuar nga një parakalim i gabuar nga një shtetas indian që drejtonte një automjet tip Audi ngjyrë vishnje. Në aksident janë përfshirë tre shtetas të huaj dhe pesë persona që ndodheshin në automjetin tjetër Audi.

Në vendngjarje ka mbërritur policia rrugore, e cila ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit. Ndërkohë, qarkullimi në këtë segment është normalizuar pas ndërhyrjes së autoriteteve.

Njoftimi:

Memaliaj/Informacion paraprak

Rreth orës 18:30, në aksin rrugor “Tepelenë–Krahës”, në vendin e quajtur “Iliras”, automjeti me drejtues shtetasin indian Sh. P., 27 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen L. B., 42 vjeçe, banuese në Tiranë.

Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar lehtë 2 drejtuesit e automjeteve dhe 6 pasagjerë, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Gjirokastër, për ndihmë mjekësore.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.