VIDEO/ Përleshje masive në Valencia, 6 të arrestuar, mes tyre dhe një shqiptar
Policia Kombëtare në Valencia ka arrestuar gjashtë të rinj, të moshës nga 25 deri në 41 vjeç, të gjithë të huaj, pas një përleshjeje masive që ndodhi në një zonë urbane të qytetit.
Sipas autoriteteve, përleshja u shoqërua me hedhje gurësh dhe karrigesh, duke rrezikuar seriozisht jetën e kalimtarëve, siç është dokumentuar edhe në video të publikuara nga mediat lokale.
Ngjarja ndodhi në rrugën Bilbao, në lagjen Zaidía, rreth orës 19:30 të datës 9 të këtij muaji.
Të arrestuarit janë një shtetas kubanez, një dominikan dhe një shqiptar, të gjithë me precedentë penalë, dy algjerianë (njëri prej tyre në situatë të parregullt), si dhe një tjetër shtetas i huaj me origjinë të paidentifikuar.
Hetimet janë kryer nga agjentët e Njësisë së Trafikut në Valencia.
Sipas policisë, tre ditë pas përleshjes, tre nga të përfshirët në konflikt dyshohet se kanë kryer një grabitje me dhunë ndaj kundërshtarëve të tyre, në shenjë hakmarrjeje. Gjatë këtij incidenti ata kanë përdorur armë të ftohta dhe shkopinj, duke i kërcënuar viktimat dhe duke i marrë një telefon celular njërit prej tyre.
Policia ka bërë të ditur se të gjithë të arrestuarit kanë kaluar më parë nëpër procedura penale, ndërsa dy prej tyre ndodhen në mënyrë të paligjshme në Spanjë.
Gjashtë personat janë vënë tashmë në dispozicion të drejtësisë.
Ndërkohë, një shoqatë banorësh e lagjes San Antonio-Zaidía ka shprehur shqetësimin në rrjetet sociale, duke kërkuar ndërhyrje më të fortë për situatën e sigurisë në zonë.