Katastrofë për Lakers, Doncic rrezikon të mungojë edhe në raundin e dytë të playoff-it
Situata e Luka Dončić-it te Los Angeles Lakers po bëhet gjithnjë e më shqetësuese, ndërsa raportet e fundit flasin për një mungesë të mundshme të tij edhe në raundin e dytë të playoff-it të NBA-së.
Sipas gazetarit të njohur të ESPN, Shams Charania, nëse Lakers arrijnë në gjysmëfinale të Konferencës, është shumë pak e mundshme që ‘ylli’ slloven të jetë i gatshëm për të luajtur. Kjo përbën një goditje të rëndë për skuadrën nga Los Angeles, e cila tashmë po përballet me presion të madh në fazën finale të sezonit.
Dončić u dëmtua më 2 prill në Oklahoma dhe që atëherë ka qenë jashtë fushave. Fillimisht u konfirmua se ai do të humbiste pjesën e mbetur të sezonit të rregullt dhe gjithashtu raundin e parë të playoff-it. Megjithatë, tani shqetësimet janë rritur edhe më shumë për rikthimin e tij të mundshëm në fazat e mëtejshme.
Lakers aktualisht kryesojnë serinë 3-1 ndaj Houston Rockets dhe kanë mundësinë ta mbyllin kualifikimin në ndeshjen e radhës në “Crypto Arena”. Ndërkohë, Austin Reaves po rikuperohet dhe mund të jetë i gatshëm për këtë takim.
Problemi kryesor për Dončić është një dëmtim në tendinën e këmbës së majtë, i cili ka ndikuar ndjeshëm në procesin e rikuperimit. Edhe pse këtë sezon ai ka pasur statistika mbresëlënëse me 33.5 pikë, 7.7 rebound dhe 8.3 asistime për ndeshje, mungesa e tij po ndihet fort në ekip.
Sipas raportimeve, edhe përpjekjet e stafit të tij për të përshpejtuar rikthimin nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. Tani, frika është se Lakers mund të vazhdojnë rrugëtimin në playoff pa ‘yllin’ e tyre kryesor, gjë që do ta bënte shumë më të vështirë përballjen me rivalët e fortë të Konferencës Perëndimore.
Nëse këto parashikime konfirmohen, mungesa e Dončić mund të ndryshojë ndjeshëm fatin e sezonit për Lakers, duke e kthyer këtë situatë në një nga goditjet më të mëdha të këtij playoff-i.