Dënim i rëndë për futbollistin e Chelsea-t, FA e pezullon për 4 vjet
Chelsea dhe futbolli anglez janë tronditur nga një vendim i rëndë disiplinor ndaj Mykhailo Mudryk, i cili është pezulluar për katër vjet nga Federata Angleze.
Sipas vendimit zyrtar, lojtari ukrainas është shpallur fajtor për shkelje të rregullave antidoping, duke marrë një dënim të gjatë që e përjashton nga aktiviteti profesional për një periudhë të konsiderueshme. Mudryk, i transferuar te Chelsea në vitin 2023 nga Shakhtar Donetsk për një shumë të madhe, tashmë përballet me një nga goditjet më të forta të karrierës së tij.
Sulmuesi nuk ka luajtur që prej 28 nëntorit 2024, kur shënoi në ndeshjen e UEFA Europa Conference League ndaj Heidenheim. Që atëherë, ai është larguar nga fushat për shkak të hetimeve dhe problemeve disiplinore.
Autoritetet e akuzojnë Mudryk-un për përdorimin e substancës Meldonium, e cila është e ndaluar në sport dhe që në të kaluarën ka çuar në dënime të ngjashme, përfshirë rastin e tenistes së njohur Maria Sharapova në vitin 2016.
Lojtari ka bërë të ditur se ka apeluar vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (TAS), ndërsa çështja pritet të vijojë më tej në instancat ndërkombëtare.
Ky zhvillim përbën një tjetër goditje për Chelsea-n, që kishte investuar shifra të mëdha për transferimin e ukrainasit, por që tani përballet me një situatë të komplikuar ligjore dhe sportive.