SPAK po gjurmon paratë e Ballukut, Saraçi: Po shkohet drejt akuzës për korrupsion, ka indicie dhe prova

Romir Saraçi, kryeredaktor i Syri TV, i ftuar në emisionin “Task Force”, u shpreh se SPAK ka intensifikuar hetimet ndaj Belinda Ballukut dhe po fokusohet në gjurmimin e parave, duke hyrë në një fazë më të thelluar të hetimit.

Ai theksoi se lëshimi i 15 urdhër-kontrolleve ndaj familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të saj tregon një linjë të qartë hetimore drejt pasurisë dhe rrjedhës së fondeve.

Saraçi deklaroi se ekzistojnë indicie dhe prova që çojnë drejt një hetimi për korrupsion, ndërsa shtoi se po shkohet drejt kësaj akuze.

Ai ngriti gjithashtu dyshime për transferta të mundshme parash jashtë vendit dhe tha se hetimi mund të çojë në masa sigurie ndaj personave të përfshirë.

Pjesë nga deklarata:

Shiko, në informacionet që kemi marrë dhe në ato çfarë shohim në lëvizjet e SPAK-ut, nëse i bëjmë një analizë hetimeve të deritanishme të dosjes që u çua në Kuvend dhe asaj që po veprohet tani, është një orientim i pastër i SPAK-ut drejt akuzës për korrupsion. SPAK-u është duke gjurmuar paratë e Belinda Ballukut, për sa kohë janë dhënë 15 urdhra kontrolli, të cilat i përkasin familjarëve të ngushtë të saj, por edhe bashkëpunëtorëve të saj. Kjo të lë të nënkuptosh që SPAK nuk është më në fazën e hetimit për abuzime me tendera, sepse ajo shtrihet në pjesën institucionale dhe atë të bizneseve, por ka kaluar në një fazë tjetër, në fazën e hetimit dhe konfirmimit të akuzës për korrupsion.

Nuk është më thjesht procedurë, pasi kemi një hetim pasuror ndaj Belinda Ballukut dhe familjarëve të saj, dhe këto janë të dhëna që tregojnë se kemi të bëjmë me hetim për akuzën e korrupsionit. Shkuarja në vendimin e gjykatës për 15 kontrolle do të thotë se ata kanë indicie të forta, në mos prova, për akuzën për të cilën po veprohet. Nuk bëhet fjalë vetëm për kontrolle në biznese dhe te familjarët, por edhe për komunikime dhe informacione të tjera që kanë ngritur dyshime se mund të ketë para të transferuara jashtë Shqipërisë, të cilat mund të jenë kryer me persona të tjerë ose drejtpërdrejt nga Belinda Balluku, dhe mund të ndodhen në vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë dërguar letërporosi, si edhe në vende të Bashkimit Europian. Në dijeninë time janë disa letërporosi, të paktën dy apo tre janë të konfirmuara, por duhet parë në një fazë të dytë, pa bërë orakullin, por duke qenë të kujdesshëm me informacionet në dispozicion.

Ajo çfarë u pa si një ndalesë e SPAK-ut në veprimet hetimore ndaj Belinda Ballukut, duket se ka qenë një punë intensive për këtë dosje, për të kaluar sot në vendime dhe veprime konkrete, të cilat nuk mund t’i fshihen opinionit publik, pasi kryhen kontrolle që bien në sy dhe merren vendime gjykate, ku më pas ka edhe rrjedhje informacioni ose vihet në lëvizje BKH-ja. Pra, është kryer pjesa e parë e punës hetimore për sigurimin e provave dhe dokumenteve, dhe tani jemi në hapat e tjerë të veprimeve konkrete në terren. Siç kemi parë në mënyrën si operon SPAK-u, besoj se shumë shpejt mund të ketë edhe veprime për kërkesa masash sigurie, qoftë për zonjën Balluku, apo për persona të tjerë të lidhur me të.

Këta janë rrethi më i ngushtë, por në bashkëpunimin e Belinda Ballukut ka një rreth mjaft të gjerë, që përfshin familjarë apo ish-familjarë të saj, si edhe personazhe të tjerë të njohur për afrimitetin me të. Nuk besoj se, përtej çështjes së Ballukut, tani çështja më e rëndësishme në këtë situatë është vetë ajo. Por nga sa di, nuk besoj se prova më e fortë e SPAK-ut është në rrethin familjar të saj, edhe pse mund të ketë elemente favorizimi, por janë më minore dhe sekondare. Duke qenë se bëhet fjalë edhe për deklarimin e pasurisë, do të ishte më e lehtë gjurmimi i veprimeve në rrethin e ngushtë familjar.

Unë dyshoj, dhe sipas informacioneve që ka SPAK-u, hetimi është në rrethin e dytë ose të tretë të marrëdhënieve të Belinda Ballukut.